Rihapen auditorët e Universiteteve/ Komiteti: Ora policore s’ndryshon, hiqet karantina me Greqinë
Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Komiteti Teknik i Ekspertëve, bëri me dije se do të hapen Universitetet, por kjo vetëm për pjesën e konsultimeve dhe të provimeve, jo për mësim në auditorë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se kemi rënie të rasteve të reja dhe të humbjeve në jetë. Po ashtu, në fjalën e saj, Manastirliu tha se do të hiqet karantina për qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë që mbeten në fuqi ndalimi i grumbullimeve dhe ora policore.
”Kemi rënie shifrash dhe fataliteti. Kemi incidencë të ulët dhe të kontrolluar. Kemi një rënie të pozitivitetit total dhe numri i pacientëve të shtruar ëshët ulur. Indikatorë si këta na sjellin në vëmendje situatën e një viti më parë. Masat kanë pasur ndikim të padiskutueshëm. Kemi vijuar edhe me vaksinimin. 100 mijë qytetarë kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës. Mbetemi në një pozicion të lartë. Në çdo hap, jemi treguar shumë të kujdesshëm qoftë masave dhe hapave të lirimit të masave. Do të vijojmë të jemi të kujdesshëm. Nisur nga situata, Komiteti ka patur një mbledhje dhe ka rivlerësuar masat e marra duke hequr masën e karantinës 14 ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapen universitetet, vetëm për konsultime dhe sezonin e provimeve. Mbetet në fuqi ora policore 22:00-06:00 dhe ajo për grumbullimet”, –tha ministrja.
Po ashtu Manastirliu ka bërë me dije se deri më tani nuk ka asnjë vendim nga vendet e BE-së, lidhur me lëvizjen e qytetarëve në varësi të llojit të vaksinës që kanë kryer. “Nuk ka asnjë vendim të marrë nga vendet e BE për sa si përket llojeve të vaksinave dhe se si mund të lëvizin qytetarët”.
Shefja e epidemiologjisë në ISHP Silva Bino, në fjalën e saj gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, thotë se pika e pozitivitetit në vend ka arritur nën 5%, në pikën më të ulët që ka pasur Shqipëria. Ajo thekson se incidenca e rasteve është e ulët në të gjitha Bashkië e mëdha, përveç Lezhës e Kukësit.
”Pjesa më e madhe e vendit paraqet ulje. Ajo çfarë është e rëndësishme, kemi arritur një pik të pozitivitetit nën 5%, që është element i rëndësishëm në këtë moment. Gjatë gjithë kohës së pandemisë, s’kemi pasur pozitivitet kaq të ulët, lidhur kjo dhe me testimet aktuale. Vaksinimi po ecën me ritme të shpejta, dhe strategjia që kemi ndjekur, mbushjen e popullatës me dozën e parë, shembull nga Britania e Madhe, është strategji që duket se ka sukses. E them me modesti, por duket që ka ndikim. Duhet të mbajmë këto ritme. Qoftë me dozën e dytë, por edhe të parën që të kemi rezultate të mira”,-tha Bino.
Gazetarët: 25 prilli, shkelja e rregullave? Dhe ndikimi i mutacionit indian të koronavirusit?
Manastirliu: Gjithmonë Komisioni ka bërë apel për kujdes. Edhe pse ekspertët e kanë thënë se janë në pritje të rritjes së numrit të infektimeve. Mund të ishte shmangur dhe ne e kemi apelur. Fushata e vaksinimit nuk ishte për fushatën elektorale. Nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar.
Karantinë ndaj shqiptarëve të Greqisë?
Manastirliu: Do të kishte hyrje prej Pashkëve, jashtë rutinës. Të dy vendet kanë pasur rritje të infektimeve. Të dy kanë qenë vende në izolim, çfarë pritej ishte që të rriteshin numrat e qytetarëve. E morëm vendimin për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Bino: Ka pasur disa të infektuar por asnjë nuk është shtruar në spital. Mutacioni indian është diskutim shumë i gjatë nëse impakti i përket këtij apo mutacionit britanik. Pra nuk mendohet se do të jetë ky lloj mutacioni shkak i përhapjes së madhe.