Rikandidon në Vlorë. Zbuloni të vërtetën përse Rama ka frikë që të kandidojë në Durrës

Rreth dy javë më parë, shumë media, referuar burimeve pranë shtabit të Edi Ramës shkruanin se ai do të largohej nga Vlora si deputet dhe në zgjedhjet e prillit 2021 do të kandidonte në Durrës.

Me sloganin nga Rilindje në Rindërtim, faktikisht kohët e fundit Rama ishte shumë aktiv me vizitat e tij në qytetin bregdetar, për të parë veçanërisht nga afër edhe situatën e post tërmetit.

Madje ai largoi Vangjush Dakon si `komisar` të partisë në këtë qark dhe e mori situatën personalisht në dorë.

Por dje papritur, Edi Rama, deklaroi se do të kandidojë sërish në Vlorë. Berisha e quajti këtë tërheqje si një mosdhënie garancie për fitore në Durrës nga Dako dhe një prej emrave më të njohur të krimit në këtë qytet, Endrit Dokle, i cili arriti së fundmi që të dalë nga burgu.

Përveç të gjithë këtyre, kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj, këtë të shtunë ka zbuluar edhe situatën katastrofike në Durrës me çështjen e rindërtimit. Duket se kjo është edhe një nga arsyet e tjera të forta, se përse Rama nuk guxon dot që të kandidojë në këtë qark.

Duke folur me simpatizantët e opozitës në lagje numër 1 në Durrës, Xhaferi, ka deklaruar se banorët ndihen të revoltuar, pasi fondet nuk janë ndarë në bazë të nevojave, por në bazë të korrupsionit.

“Drama e Durrësit ishte shumë e rëndë dhe për këtë, duhej mbështetja e menjëhershme e qeverisë. Por në të vërtetë mbështetja e qeverisë ishte sa e vonuar aq edhe e korruptuar. Kemi shkuar edhe i kemi kontaktuar. I kanë dhënë banorëve nga 5 milionë lekë të vjetra, kur duan nga 15 a 20 milionë. Prandaj banorët janë të revoltuar se fondet nuk janë ndarë në bazë të nevojave, por në bazë të korrupsionit. Këtë kishte parasysh edhe ambasadorja Yuri Kim. Për mendimin tim Rama nëse i shpëton Burrelit, do i mbetet Surelit”, ka denoncuar ai.

Me gjasa socialistët duhet të kenë kryer sondazhe lidhur me kandimin e Ramës në qarkun më të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, ku vetë kryeministri u zotua se deri në 26 nëntor të këtij viti do të strehonte në banesa të reja të gjitha familjet e mbetura pa streh nga tërmeti. Megjithatë, procesi i rindërtimit është në fazat fillestare të tij, për të mos thënë se ende nuk ka nisur. Ndaj, kreu i qeverisë mund t`i trembet një dështimi të mundshëm me procesin e rindërtimit, çka mund të sillte pasoja në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Një tjetër faktor, që mund të ketë ndikuar në tërheqjen e Ramës, mund të jetë dhe pjesëmarrja e ulët e qytetarëve durrsak në zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar, ku Partia Socialiste garonte e vetme me Valbona Sakon. Por përtej kësaj, Durrësi është i famshëm për dosjen “339”, ku bandat e Shijakut dyshohet se kanë bashkëpunuar ngushtë me ish-kryebashkiakun e shpallur nongrata në SHBA, Vangjush Dako, për të blerë votat e qytetarëve në favor të Partisë Socialiste.

Ndaj, në këto kushte, Rama ka vendosur të rikthehet në Vlorë, i detyruar të ketë në krah Dritan Lelin, kryebashkiakun që sipas vetë kryeministrit, i ka ulur reputacionin.

SHKARKO APP