Rilindja detyron administratën që të bëjë like dhe share në rrjete sociale për kandidatët e PS
Bashkia Gjirokastër nisur nga ethet e zgjedhjeve të 25 prillit, u bën presion administratës që të përfshihet në fushatë, duke mbështetur Partinë Socialiste me pëlqime dhe share të postimeve të kandidatëve në rrjete sociale. Më poshtë do të lexoni mesazhin që njëra prej zonjave që punon në këtë bashki, u ka dërguar punonjësve në një grup një mesazh kërcënues. Në qarkun e Gjirokastrës drejtues politik i PS-së është Blendi Çuçi, i cili ka ”dorëzuar” Ministrinë e Brendshme deri më 30 prill, që të jetë më i përfshirë në fushatë.
Mesazhi i plotë:
Përshëndes të gjithëve! Në radhë të parë uroj dhe shpresoj që të jeni mirë pasi në këto momente të vështira pandemie shëndeti është primar. Sa i përket funksionit të grupit të cilin kemi hapur, tashmë e kuptojmë fare mirë që ka ardhur momenti ku të gjithë duhet të bashkëpunojmë. Nuk ka më kohë për të humbur. Më vjen keq kur shoh që një pjesë e juaja as e merr mundimin të bëj like dhe jo më share.
E para duhet të kuptojmë që ky është tashmë një detyrim dhe jo zgjedhje. Kjo fushatë është digjitale dhe si e tillë jemi të gjithë të ekspozuar, ndaj nëse dikush nga ju ende pas 4 muajsh nuk ka pranuar kërkesën time në fcb se sdo të jetë i monitoruar është tjetër gjë. Nëse ndonjëri prej jush nuk e ndjen detyrim moral të bëj kaq gjë le të dali nga ky grup.
Nga ky moment kërkohet nga të gjithë pa përjashtim like, share dhe koment në cdo postim të ministrit dhe kandidatëve të tjerë. Sa herë ju kërkohet të futeni live ne livet e kryeministrit apo kandidatëve të jeni të gjithë pa përjashtim. Kjo gjë duhet të bëhet nga të gjithë ne, e kemi detyrim moral dhe duhet ta kuptojmë. Ju lutem kush nuk me ka pranuar ende ne fcb të më pranojë. Jemi në monitorim të vazhdueshëm.
Mandati í 3 -të na takon ne padiskutim 💪
S’ka kohë për pushim ⏳
Shqipëria e ardhmja jonë🌹🌹🌹
Dorina Muhaj
Marrë nga Zëri Jonë.USA