Rimbursimi i ilaçeve anti-Covid, Bardhi: Një mashtrim dhe skemë korruptive

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka denoncuar sot, udhëzimin për rimbursimin e ilaçeve anti-Covid, si një mashtrim dhe skemë korruptive.

Përmes një postimi në Facebook ku shfaq edhe dokumente, numri dy i selisë blu shprehet  se “Qeveria i braktisi shqiptarët për 9 muaj, duke mos rimbursuar asnjë qindarkë për kurimin e shtrenjtë të COVID-it, por tani po bën akoma më keq, po i tall dhe po i vjedh njëkohësisht”.

Kushti që ilaçet rimbursohen vetëm kur (pasi) pacienti konfirmohet pozitiv nga ISHP, e bën praktikisht të pazbatueshëm vendimin për rimbursimin”, shkruan ndër të tjera Bardhi.

Postimi i plotë:

Udhëzimi për rimbursimin e ilaçeve anti-COVID, një mashtrim dhe skemë korruptive.

Qeveria i braktisi shqiptarët për 9 muaj, duke mos rimbursuar asnjë qindarkë për kurimin e shtrenjtë të COVID-it, por tani po bën akoma më keq, po i tall dhe po i vjedh njëkohësisht.

Vendimi për rimbursimin e ilaçeve anti-COVID nuk i shërben qytetarëve, por propagandës së Qeverisë dhe klientëve të saj. Shumë qytetarë do të vazhdojnë të marrin borxh për të paguar faturat e shtrenjta, që kushtojnë nga 500-1500 euro, sepse vendimi për rimbursimin nuk njeh recetat, që janë lëshuar përpara konfirmimit pozitiv nga ISHP. Faktet provojnë se vendimi është bërë për një grusht kompanish farmaceutike, jo për qytetarët.

Kushti që ilaçet rimbursohen vetëm kur (pasi) pacienti konfirmohet pozitiv nga ISHP, e bën praktikisht të pazbatueshëm vendimin për rimbursimin. Është fakt që mjekët e familjes, bazuar në simptomat e pacientit apo rezultatet e testit të kryera në privat, e fillojnë mjekimin e pacientëve pa pritur konfirmimin e testit nga ISHP. Kjo ndodh, sepse të gjithë e dinë, se po prite ISHP-në, je në rrezik për jetën, pasi ISHP-së i duhen 5-10 ditë për testin dhe përgjigjen. Vendimi I qeverisë nuk njeh si të rimbursueshme ilaçet e recetave përpara konfirmimit pozitiv nga ISHP-ja. Është rasti për t’u dhënë zë qindra qytetarëve që ankohen se testet e ISHP-së dalin negative, ndërkohë që testet në privat apo skaneri konfirmon praninë e COVID 19.

Skema e rimbursimit është e paprecedentë. Udhëzimi emërton jo vetëm ilaçet dhe vitaminat e rimbursueshme, por përcakton edhe se prodhimi i cilës kompani farmaceutike do të rimbursohet. Udhëzimi detyron pacientin të blejë vetëm tek 5 kompani ilaçet e rimbursueshme, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke provuar se halli i vetëm i kësaj qeverie është vjedhja edhe në kohë pandemie, janë klientët e saj, jo shëndeti i njerëzve. Nëse një i sëmurë me COVID 19 merr, psh. një vitaminë C apo D që nuk është prodhuar nga këto 5 kompani, qeveria nuk u rimburson asnjë ilaç, asnjë qindarkë.

Kujdesi për klinetët edhe në këtë kohë të vështirë pandemie, të mbushur me humbje jete dhe vështirësi ekonomike është kriminale dhe papërgjegjshmëri. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Qytetarët shqiptarë meritojnë rimbursimin e plotë të ilaçeve anti-COVID. Për këtë nevojitet një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten dhe klientët e saj.

SHKARKO APP