Rinia e gomoneve, shpresa është shuar. Politika ka dështuar

Nga: Redjon Shtylla

8 dhjetori përkujtohet si ditë kombëtare në nderim të studentëve të dhjetorit 1990, dhe të rinisë që me luftën e tyre, shënuan rënien e komunizimit. Ky 8 dhjetor e gjen rininë shqiptare në udhëkryq, në vrapin për të kapur gomonen që niset drejt Anglisë, në një eksod të ri të shpopullimit të vendit. Rinia në vend është e pashpresë.

Sot në auditore, në kafenetë e kudo në bisedat e thjeshta të tyre, të rinjtë pohojnë se  ”Shqipëria nuk bën”. Kakofonia e një politike të zymtë, përçarse, dhe ligjërisht jo zhvilluese ndaj rinisë, e kanë kthyer ikjen nga vendi, një shpëtim për trurin e së ardhmes, edhe pse jashtë këtë rini nuk e pret ”luksi”, por paketa e një politike ndihmuese dhe zhvilluese është dhurata e parë.

79% e studentëve shqiptarë dhe 59% e maturantëve dëshirojnë të largohen nga vendi. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen. E trishtë, por treguese që pas më shumë se 30 vitesh, politika nuk arriti ta bënte Shqipërinë që kishin ëndërruar rinia që shembi dhe rrëzoi bustin e diktatorin Hoxha, që hoqën murin që prej 40 vitesh e kishte futur vendin në një guackë të padepërtueshme.

Kjo politikë e sotme ka ndërruar veç maskën, pasi e përdor rininë si trampotinë për tu hedhur në realizimin e synimeve të pushtetit, autoritetit, luksit dhe sidomos për pasurimit e vet. Rininë e kanë si maskë, e përdorin si imazh në zgjedhje, që të mbushin sheshe, si manekina për mbajtjen e pushtetit. Rinia është në një kohë trampoline, ku e hedh politika sa herë të dëshirojë, luan dhe i tregon sesi të reagojnë.

Të rinjtë intelektualë janë ata që do ta çojnë Shqipërinë në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor. Rinia ka problemet e saja, por një qeveri që di dhe ka elementët e duhur, rininë tonë e çon në një dimesion tjetër, pasi talentet shqiptare po korrin suksese në botë, dhe e kanë treguar këtë.

Sot është koha që hapim kafazin në të cilin politika e ka futur rininë dhe bllokon lirinë e tyre për të marrë në dorë Shqipërinë, dhe të mos enden më rrugëve të Europës, për të kapur gomonen e rradhës dhe të mos quhemi më nga Britania e Madhe si ”pushtues”.

SHKARKO APP