Rinisin bisedimet PD-PS për rezolutën
Përfaqësuesit e PD dhe PS kanë nisur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së sotme sërish negociatat për arritjen e një marrëveshje. Ndërkohë që rreth orës 20:00 Genc Pollo dhe Taulant Balla deklaruan se ende nuk kishin arritur në firmosjen e paktit që do të prezantohet në formën e rezolutës gjatë ditës së sotme në Kuvend.
Në takimin e përfunduar në orën 20:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputetët e mazhorancës dhe opozitës nuk kanë rënë dakord për draft-rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët.
Pas gati 5 orësh takim në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputetët e mazhorancës dhe opozitës nuk kanë rënë dakord për draft-rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët. Ndërkaq, në orën 23:00 deputetët demokratë e të mazhorancës janë ritakuar në Kryesinë e Kuvendit, për t'u dakordësuar për ato pika që patën diskutime.
Gjatë ditës së sotme palët dhanë dakordësinë për të punuar bashkë për rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët që ndërmjetësuan për zgjidhjen e krizës politike në vend, por pas diskutimeve ky draft u firmos nga deputetët Taulant Balla dhe Petrit Vasili, por nuk u firmos nga PD. Në përfundim të takimit, deputeti Balla tha se gjatë diskutimeve deputetët demokratë paraqitën kërkesa shtesë, gjë që sipas tij dëmton procesin.
“Ne prej momentit të parë mbështetëm deklaratën e më pas draftin e marrëveshjes që Kukan dhe Fleckenstein arritën që të bënin dje. Që në mëngjes kemi dalë në deklaratë që e mbështesim. Në takimin me 2 përfaqësuesit e PD, pamë që pati edhe kërkesa të tjera për t’u shtuar, dhe për të hyrë në detaje të panevojshme për një marrëveshja parimesh, kjo nuk ishte në frymën e asaj që dje dy eurodeputetet arritën dje në Tiranë. Nesër Kuvendi i Shqipërisë është i gatshëm që marrëveshjen e propozuar dhe të miratuar nga PE ta miratojë. Shtesa një pas një dhe pafund thjesht e dëmtojnë procesin dhe nuk shtojnë asgjë mbi atë që u arrit me angazhimin shumë të frytshëm të dy eurodeputetëve”, tha deputeti Balla.