Ristani: Basha është i ikur, askush s’ka besim te ai. ”Foltorja” e Berishës një lëvizje e duhur
Kërkesa për të mbledhur Kuvendin e PD-së, për ish-sekretarin e Përgjithshëm të selisë blu, Arben Ristani ka në themel rishikimin dhe ndryshimin e statutit për ta vënë PD-në në bazat e duhura për të kërkuar llogaridhënie.
“Ka lëvizje brenda PD-së po të gjithë i bashkon kthimi i PD në shinat statutore dhe formatimi i PD i pakapur nga Rama dhe e palidhur me interesa financiare me të. Fakti është që të gjithë përputhemi dhe bashkohemi te statuti. Kërkesa që është bërë për të mbledhur kuvendin e PD, ka në themel rishikimin dhe ndryshimin e statutit për ta vënë PD-në në bazat e duhura për të kërkuar llogaridhënie nga kryetari, i cili ndonëse është humbësi më i madh vazhdon të mbajë karrigen në mënyrë jodemokratike”,-tha për ”A2cnn”.
”Foltorja” e Berishës sipas Ristanit është e duhura, pasi kërkon një parti më të madhe se kryetari. Ai thekson se Basha është në largim pasi ka humbur besimin e anëtarësisë.
“Unë besoj që kjo është lëvizja e duhur që duhet të reflektojë në spektrin politik shqiptar. Ne kërkojmë një Parti Demokratike më të madhe se kryetari. Partitë tona duhet të dalin mbi njehsimin me kryetarin që është reminishencë leniniste. Basha është i ikur se askush nuk ka më besim te ai, demokracia është gjithmonë në favor të shumicës dhe në rast se do të mblidhet mbi 50% e Kuvendit të PD është shumë e thjeshtë, se ata kanë fuqi vendimmarrëse”.