Ristani: Elementët që duhet të rregullojë PD brenda vetes

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, tregon se cilët janë elementët që duhet të rregullojë PD-ja në mënyrë që të bëhet e besueshme dhe të kthejë shpresën te shqiptarët. ”Vetëm duke qenë e besueshme, opozita mund të rikthejë shpresën te shqiptarët dhe të jetë e gatshme për të drejtuar vendin. Ka disa elementë që duhen rregulluar për mendimin tim që PD të jetë e besueshme. PD duhet të jetë demokratike, me sistem parimesh që i ndjek në mënyrë të vazhdueshme, duhet program i besueshëm dhe njerëz që do ta realizojnë këtë program. Program, njerëz dhe aksion janë 3 elementët që i duhen PD-së”.

Më tej, Ristani u shpreh se PD-ja duhet t’i kthehet rrugës institucionale. ”PD duhet patjetër që të gjejë mënyrën për t’iu kthyer rrugës institucionale, të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe të harmonizojë të renë me përvojën, për të ndërtuar një ekip që i përfshin të gjithë elementët”.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Ristani nuk mendon se ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive te listat. ”Sistemet janë dy: mazhoritar dhe proporcional. Të gjitha janë sisteme demokratike dhe të provuara kudo në botë. Sistemi zgjidhet në varësi të konstruktit politik dhe shoqëror. Debatet sot janë të fokusuara te lista e hapur. Qëllimin e kanë te kufizimi i mundësive të kryetarët e partive për të ndikuar te listat, por ndryshimi i kodit nuk e realizon plotësisht këtë qëllim. Duhet të demokratizohen partitë së pari brenda vetes”.

SHKARKO APP