Ristani: Energjitë e opozitës duhet të përqëndrohen tek përballja brenda sistemit me Qeverinë
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i bën apel opozitës që energjitë e saj në betejën politike me qeverinë ti përqendrojë në gjetjen e rrugës që çon te zgjidhja e krizës politike që kalon përmes dakortësimit gjithëpërfshirës dhe në qartësinë e saj për etapat dhe rolët që opozita duhet të ndërmarrë gjatë këtij procesi.
Në një qëndrim të bërë publik përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Ristani, thekson se rruga e bojkotit dhe ikja nga përballja institucionale, brenda sistemit, me kundërshtarin, tashmë është e përjashtuar si zgjidhje.
Reagimi i plotë i Arben Ristanit
Duhet të përqendrohemi të gjithë te gjetja e zgjidhjes për krizën e rëndë që po kalojmë.
Rama bën çdo ditë veprime kundër interesit publik, çdo ditë vjedh dhe zhvat pasuritë e shqiptarëve, çdo ditë tallet me varfërinë e tyre, por këtë tashmë, s’ka shqiptar që nuk e di. Le të themi se faza e denoncimit dhe beteja që shqiptarët dhe ndërkombëtarët ta njohin se kush është dhe çfarë bën, e realizoi qëllimin.
Çdo energji e tepërt e harxhuar për ta denoncuar të keqen publikisht, është energji e çuar dëm.
Duhen përqendruar forcat dhe mendja, te gjetja e rrugës që na çon te zgjidhja, dakortësimi gjithëpërfshirës për rrugën e gjetur, qartësi për etapat dhe rolet, përqendrim dhe besim.
Sidoqoftë, rruga e bojkotit dhe ikja nga përballja institucionale, brenda sistemit, me kundërshtarin, tashmë është e përjashtuar si zgjidhje.