Ristani i kërkon dorëheqjen, Meta i ndërpret fjalën: Djali nuk e njeh rregulloren
Pa asnjë surprizë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi punimet e seancë së sotme plenare, ndërsa deputetët e opozitës qëndrojnë në këmbë pranë foltores së parlamentit, në përpjekje për të bllokuar punimet, sikurse ndodhi një javë më parë. Mes tensionit dhe zhurmës, kryetari Meta ka njoftuar rendin e ditës, ndërsa deputetët e maxhorancës po shqyrtojnë pikat e axhendës. Opozita sakaq, proteston sot për të kërkuar largimin e Ilir Metës nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në orën 11:00 në Sheshin ‘Skënderbej’, për të vijuar më pas me marshimin drejt selisë së Kryeministrisë dhe godinës së parlamentit. Deputetet e djathtë në fillim të protestëts pritet të lënë sallën dhe t’i drejtohen turmës së protestuesve.
Ashtu siç ishte paralajmëruar seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me tensione dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse pas shumë kohësh, seanca ka nisur në orën 10:00 siç është e përcaktuar, deputetët e opozitës kanë bllokuar ashtu si javën e kaluar foltoren e Kuvendit. Pasi Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka lexuar rendin e ditës, deputeti i opozitës Arben Ristani në fjalën e tij ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryeparlamentarit. Por i menjëhershëm ka qenë replika e kryeparlamentarit i cili është shprehur se po shkelet rregullorja duke i ndërprerë fjalën Ristanit. Kjo ka sjellë edhe tension mes palëve, ku opozita ka bllokuar foltoren e kuvendit. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar Kreun e Kuvendit që të vazhdojë shqyrtimin e projektligjeve në rend dite, edhe pse nën zhurmën e deputetëve të PD.
Ristani kur këkroi që Meta të japë dorëhiqet, Kryeparlamentari tha se “Djali s'di rregulloren, ndërpritini fjalën.” Dhe më tej shtoi: “Ky djali nuk e njeh rregulloren. I ndërpritet fjala. Ju vazhdoni bjerini defit.”
Rendi i ditës në Kuvend:
1. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
2. Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
3. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi),” të ndryshuar.
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të zbatimit për aistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve”.
6. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
7. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”.