Ristani: Kokëdhima ka përfituar fonde nga buxheti në 150 raste
Këshilli i Mandateve është mbledhur sot rreth orës 18:30 për të diskutuar kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit për deputetin socialist Koço Kokëdhima.
Mbledhja u zhvillua me dyer të hapura dhe me praninë e medias.
Deputeti Kokëdhima nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje, por përfaqësohej nga avokati i tij
Opozita ka kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, pasi sipas tyre Kokëdhima ka përfituar nga fondet publike për kompaninë e tij Abissnet gjatë kohës që ka qenë duke ushtruar funksionin si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas nenit 70 të Kushtetutës në pikën 3 të këtij neni, thuhet se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.
Arben Ristani, u shpreh se Kokëdhima ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit në të paktën 150 raste.
Rasti i deputetit Kokëdhima është më i rëndë se ai i deputetit Beqaj pasi janë me qindra raste. Në analizat e kryera rezulton se deputeti Kokëdhima përmes shoqërisë “Abissnet sh.a” ka përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin. Kokëdhima ka shprehur se këtë kompani e ka shitur. Në fakt kjo përputhet nga QKR. Ne kemi dyshime të arsyeshme se shitja është bërë me anë të një kontrate jo noteriale dhe është bërë pas bërjes publike të skandalit të vjedhjeve të fondeve publike. Është e provuar nga Thesari i Shtetit se “Abissnet” ka përfituar fonde nga buxheti në më të paktën e 150 rasteve", tha Ristani