Ristani kundër Berishës e Malltezit për Bashën. Prapaskenat e “lojës” që po luhet në PD
Lufta e brendshme në PD sapo ka nisur. Këtë radhë përplasja në një tjetër front: Ish kreu i PD Sali Berisha, kërkon rikandidimin e Lulzim Bashës në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por, përkundër kësaj ideje, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani deklaroi një ditë më parë se Lulzim Basha, duhet të merret me partinë, e për Tiranën, ka të tjera kandidatura.
Gjithçka duket se po bëhet luftë deklaratash publike. Të martën e kësaj jave, ish-kreu i PD Sali Berisha në emisionin “Studio e Hapur” në News24 tha se Basha ishte kandidatura më e mirë për Tiranën. “Nëse janë zgjedhje lokale, Basha është kandidatura më e mirë. Ai nisi, bëri projektet, ky (Edi Rama) e bllokon. Dy mijë qytetarë të Tiranës do merrnin rroga në bulevardin e Tiranës” deklaroi Berisha të martën.
Më herët, lojën e rikandidimit të Bashës për PD në Tiranë, e hapi vetë Jamarbër Malltezi, dhëndërr i ish kryeministrit Sali Berisha, aktualisht në krye të departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike. Malltezi deklaroi se Bashën e duan qytetarët e Tiranës dhe ai duhet të kandidojë.
Po gjatë javës, edhe Eduard Selami doli pro rikandidimit të Bashës për Bashkinë e Tiranës. Më shumë se sa një deklaratë e sinqertë, për Selamin duket se kjo është një “hakmarrje”. Miqve dhe shokëve të vet u ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën sesi u votua në kongresin e PD për zgjedhjet e reja në forume dhe kandidimin e Selamit. Njeriu që i kishte vënë partia në dispozicion, punonte për kandidatin rival të tij. Padyshim, Selami, një fakt të tillë ia komunikoi edhe Bashës, por tashmë, marrëdhëniet mes tyre ishin ftohur mjaft.Keshtu shkruan Anila Basha ne portalin e saj newsbomb.
Pasi priti gjithë këtë reagim, Lulzim Basha filloi kundërsulmin e deklaratave, kësaj radhe kundër “familjes” (pra Berishës dhe dhëndërrit të tij) por edhe të të pakënaqurve.
Ai nxitoi të nxirrte përpara medias Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristanin, për të folur për këtë gjë. Ristani deklaroi në media se “Lulzim Basha nuk duhet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për bashkinë e Tiranës. Basha duhet të jetë në krye të qeverisë, dhe për këtë arsye, duhet të fokusohet te partia dhe sesi ta sjellë atë në pushtet. Për Tiranën, mund të zgjidhen figura të tjera” deklaroi Ristani.
Sot, (të shtunën) në PD ka heshtje deklaratash sa i përket kësaj çështjeje. Ajo që duket është se Ristani ka dalë kundër dyshesh Berisha-Malltezi për kandidimin e Bashës në Tiranë. Demokratët nën zë kanë filluar të kalkulojnë. Thuhet në ambientet e SHQUP se klani Berisha-Malltezi kërkon kandidimin e Bashës në Tiranë, dhe nëse ky humbet, partia rikthehet drejt lobit të tyre. Ndërkohë që Basha, nuk do t’i hyjë kësaj aventure. Cilado qoftë kandidatura për Tiranën, nëse humbet, do të thuhet se qeveria i ka bllokuar demokratët në investimet në Tiranë; e nëse fiton, Basha do të drejtojë partinë, do të thotë se zgjedhjet në Tiranë u fituan, për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.