Ristani: Rama bllokoi dy herë kërkesën e Interpol Brukselit për Mark Frrokun

“Autoritetet belge dërguan kërkesën me 8 janar të këtij viti për kapjen e deputetit të mazhorancës. Zyrtarët e mbajtën të fshehtë. Autoritetet belge dërguan material shtesë dhe ripërsëritën kërkesën me 23 janar. Sërish u mbajt e fshehtë. Vetëm me 18 mars, pasi Frroku kishte dhënë dëshminë në favor të Ilir Metës në hetimin ndaj tij për porositjen e dy vrasjeve, policia shqiptare aktivizoi urdhërin e palës belge”.

Kjo akuzë u ngrit sot publikisht nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani.

Duke shtuar sipas tij se skandalet e këtij pushteti që punon me krimin dhe për krimin nuk kanë të sosur.

“Një fakt i tmerrshëm doli përsëri në dritë dje, që tregon se deri ku janë zhytur në skemën kriminale, Edi Rama dhe Ilir Meta, në lidhje me akuzat se kryetari i kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve.

E kanë mbajtur  të kapur dëshmitarin kyç, Mar Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës.

Më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.

Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës.

Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut.

Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim.

Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës.

Për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, Drejtori i Policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari, dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre.

Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhërit të Interpol Brukseli, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ata penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Europian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të parlamentit, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve”, theksoi Ristani.

Duke i kërkuar publikisht Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë.

SHKARKO APP