Ristani: Rama dhe Meta kanë kapur dëshmitarin kyç në hetimin për vrasjen e dy deputetëve
Partia Demokratike reagoi pas raportimeve se deputeti i mazhorancës, Mark Frroku, ka strehuar në makinën e tij një të kërkuar për trafik droge.
Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani tha se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë marrë peng dëshmitarin kryesor në çështjen e Tom Doshit.
“Po bëhen 24 orë që janë publikuar dokumentat që tregojnë se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë marrë peng dëshmitarin kryesor në hetimin e akuzës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve nga Kryetari i Parlamentit.
Prej 24 orësh, Edi Rama dhe Ilir Meta heshtin, edhe pse u bë botërisht e njohur, se ata e kanë zënë deputetin Mark Frroku në flagrancë, duke marrë në mbrojtje një person të kërkuar për trafikun e drogës. Trafikanti u la i lirë, dhe deputeti Frroku gjithashtu nuk pati asnjë pasojë, sepse e gjitha kjo është në funksion të manipulimit të hetimit, dhe fshehjes së të vërtetës, në lidhje me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, që Kryetari i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve.
Kjo është një skemë mafioze e kriminale, kapja e dëshmitarit kyç të procesit, dhe përdorimi i tij më pas, sipas interesave të tyre, për të dalë të larë nga kjo histori.
Deputeti Frroku është gjithashtu nën presion me gjyqin që ka ndërkohë vëllai i tij i cili akuzohet për vrasjen e komisarit Lamaj,” tha Ristani.
“Këto fakte tronditëse, të përfshirjes së gjithë shtetit për të influencuar hetimin, e bëjnë edhe më urgjente nevojën për asistencë ndërkobëtare në këtë proces, jetik për vendin.
Ilir Meta dhe Edi Rama po sfidojnë çdo ditë durimin e popullit, duke treguar se ata janë të implikuar kokë e këmbë në skenarin e vrasjes dhe janë gati të bëjnë cdo gjë që ndaj tyre të mos ketë hetim, ndaj tyre të mos veprojë ligji.
Ilir Meta duhet menjëherë të japë dorëheqjen e të largohet nga presioni që po i bën prokurorisë.
Edi Rama duhet menjëherë të rrijë larg procesit, ndryshe është njësoj i akuzuar si partneri i tij Meta,” vijoi Ristani.
KOHA JONË SONDAZH

