Rrëmbimi i policëve, BE: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që nxit tensione
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë si dhe KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur. Ai ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet apo thirrjet qe e tensionojnë situatën edhe më shumë.
“Ne jemi në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, tha Stano.
Serbia ka rrëmbyer tre policë kosovarë brenda kufirit të Kosovës. Kosova këtë e ka quajtur si akt agresor, teksa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë.