Rreziku nga Irani, Naço: Shqipëria mund të ketë sulme kibernetike
Nasip Naço, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare përshëndet operacionet e SHBA-së për të shkatërruar kapacitetet bërthamore që kërcënojnë globin. ”Ne jemi larg këtij konflikti, por sa larg jemi, aq afër jemi, pasi jemi të përfshirë. Situata është serioze. Të gjithë nuk e duan luftën, por të gjithë janë të mendimit që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe nuk do ta lejojmë të ketë armë bërthamore”, tha Naço për A2 CNN.
Sa e rrezikuar është Shqipëria, si një prej vendeve që strehon një numër të lartë muxhahedinësh, të cilët i përkasin opozitës iraniane? “Sigurisht që ka një farë ndikimi për ta, por si vend anëtar i NATO-s, kur i kemi pranuar, kemi marrë përsipër edhe rrezikun që i shoqëron. Vendimi është marrë bashkë me aleatët tanë dhe besojmë se kemi mbështetjen e tyre. Ne nuk hedhim asnjë hap pa garantuar sigurinë e brendshme dhe bashkëpunimin me partnerët”, shtoi ai.
Po ashtu Naço shprehet se autoritetet në Shqipëri po e ndjekin me vëmendje situatën dhe rrezikun e mundshëm nga Irani, pavarësisht se ende Presidenti nuk ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Nga shkëmbimi i informacionit të deritanishëm, vlerësohet se Shqipëria është e rrezikuar vetëm nga sulmet kibernetike.
“Unë besoj që sulm të drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë nuk do të ketë, por sulme kibernetike ndaj institucioneve ka pasur, ka dhe do të ketë. Këto nuk mund t’i ndalojmë dot, qoftë nga Irani apo nga vende të tjera që nuk janë pjesë e traktatit të NATO-s”, tha Naço.
KOHA JONË SONDAZH

