Rritja e naftës, Autoriteti i Konkurrencës: Kompanitë që kanë shkelur ligjin do të penalizohen
Autoriteti i Konkurrencës, në një reagim për rritjen e çmimeve, thotë se kompanitë e tregtimit të karburantit që kanë shkelur ligjin do të penalizohen. Nën hetim që nga 25 shkurti janë të gjitha kompanitë e tregtimit të karburanteve. ”Autoriteti i Konkurrencës vlerëson të theksojë se do të ofrojë të gjithë mbështetjen e tij, kurdo që do i kërkohet me ekspertizën më të mirë të mundshme në fushën e mbrojtjes së konkurrencës, për çdo institucion apo bord publik, gjithmonë duke ruajtur kompetencat dhe pavarësinë e tij”.
Njoftimi i plotë
Autoriteti i Konkurrencës, siç ka njoftuar më herët, në datën 3.02.2022 ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve naftë dhe benzinë dhe, pas evidentimit të disa dyshimeve të arsyeshme për shtrembërim të mundshëm të konkurrencës, ka filluar hetimin që në datën 25.02.2022, me Vendimin nr. 866, “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”.
Autoriteti i Konkurrencës, me përgjegjshmëri të lartë ligjore, i shfrytëzoi maksimalisht kompetencat që i jep Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ndaj edhe procedura e mësipërme e hetimit filloi që me marrjen e sinjaleve të para dhe konstatimeve se, në muajt e fundit, çmimet e karburanteve naftë dhe benzinë kishin një tendencë për tu ngritur, pra pa pritur agravimin e situatës së ditëve të fundit.
Të gjitha kompanitë e tregtimit të karburanteve janë nën hetim dhe, për ato kompani që do të provohet se kanë shkelur dispozitat e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, masat e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në përputhje me penalitetet e parashikuara.
Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të nenit 28 të Ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, nxitur edhe nga informacionet e shqetësimet e marra nga media për rritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës, nëpërmjet Urdhrit nr.190, datë 11.03.2022, dhe Urdhërit nr.192, datë 11.03.2022, ka vendosur menjëherë nën monitorim subjektet të cilat operojnë në tregun e produkteve vaj vegjetal, miell, vezë, oriz dhe sheqer.
Sqarojmë përsëri publikun e nderuar se në respekt të qëllimit për të cilin është ngritur Autoriteti i Konkurrencës, të gjitha këto monitorime apo procedura hetimi kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa hyrë në atributet që janë përgjegjësi e institucioneve të tjera ligj zbatuese në vend.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson të theksojë se do të ofrojë të gjithë mbështetjen e tij, kurdo që do i kërkohet me ekspertizën më të mirë të mundshme në fushën e mbrojtjes së konkurrencës, për çdo institucion apo bord publik, gjithmonë duke ruajtur kompetencat dhe pavarësinë e tij.