Rritja e rasteve me Covid-19, Vasili: Qeveria nuk duhet të lejojë zhvillimin e virusit. Masat duhen marrë tani

Rritja e rasteve të reja nga Covid-19 në Shqipëri, për nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili është shqetësuese, pasi mund të kemi vjeshtë dhe dimër të rëndë. Ai hedh akuza për qeverinë, ku thotë se nuk duhet që ta lërë virusin që të zhvillohet. Po ashtu Vasili tregon edhe masat që duhet të marrë Ministria e Shëndetësisë. ”Kontrollet në pikat kufitare për hyrjet në Shqipëri me ato standarte si fqinjët tanë, dhe masa energjike në vatrat e konstatuara kombinuar me masa të kujdesshme të karakterit masiv. Testimi i gjerë mbetet i pazëvëndësueshëm. Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë gjerësisht mendimin e specialisteve më të mirë e më eksperiencë brenda e jashtë vendit”.

Postimi i plotë

KUJDES, rritja e infektimeve me Coronavirus është tepër serioze, rrezikohet ripërsëritja e situatës! Brenda pak ditësh rritja e rasteve me Coronavirus është tepër serioze dhe e dukshme! Prej datës 9 gusht kur ishin 69 raste pozitive me Coronavirus më datë 11 gusht janë 284 raste, një rritje prej rreth 400% brenda fare pak ditësh. Shifrat flasin vetë dhe janë shumë problematike.

Një vit më parë në 2020 në gusht ishin 141 raste pozitive me Covid, pra rreth gjysma krahasuar me këtë vit, duke mos harruar që pasoi një vjeshtë e dimër shumë i rëndë, me vdekje të shumta dhe me mijëra e mijëra infektime të pa verifikuara e te patrajtuara ose të trajtuar keq dhe spontanisht.

Nuk duhen përsëritur kurrsesi gabimet e një viti më parë. Qëndrimi i qeverisë “për ta lënë zhvillimin e virusit dhe të situatës në rrjedhje të lirë” është jo vetëm shumë i gabuar, por edhe me pasoja të paimagjinueshme për jetën dhe shëndetin e shqiptarëve. Masat duhen marrë tani. Duhen aplikuar veprime inteligjente dhe jo masa pa logjikë epidemiologjike si ato të një viti më parë, që vetëm sa ushqenin propagandën dhe na bënë të përjetonim një katastrofë shëndetësore.

Kontrollet në pikat kufitare për hyrjet në Shqipëri me ato standarte si fqinjët tanë, dhe masa energjike në vatrat e konstatuara kombinuar me masa të kujdesshme të karakterit masiv. Testimi i gjerë mbetet i pazëvëndësueshëm. Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë gjerësisht mendimin e specialisteve më të mirë e më eksperiencë brenda e jashtë vendit. Historia e kobshme me komitetin e ekspertëve duhet lënë pas menjëherë dhe nuk ka më kohë për të humbur.

Qytetarët nuk kanë nevojë as për ngushëllime hipokrite kur humbet jeta dhe as për propagandë bajate, që i dekurajon dhe depreson ata pasi realitetin e kanë parë dhe e shohin dhe ai flet vetë. Në lojë është jeta e shqiptarëve dhe kushdo që luan me të për interesa të ditës bën krim.

SHKARKO APP