Rritja e turizmit, kryeministri Rama: Nuk kemi mungesë njerëzish, por mungesë kualifikimi
Kryeministri Edi Rama thotë se nevoja për krah të kualifikuar pune është sfida me të cilën po përballet Europa sot. Duke folur në konferencën për arsimin dhe formimin profesional, kreu i qeverisë nënvizoi rolin që duhet të luajnë ndërmarrjet apo bizneset private në Shqipëri. Rama mori si shembull sektorin e turizmit, që së fundmi ka njohur rritje të ndjeshme në Shqipëri dhe konsiderohet si industri e re. Në këtë aspekt, kryeministri u shpreh se vendi ynë nuk përballet ende me mungesë të kapitalit njerëzor, por përballet me mungesë të profesionistëve dhe krahut të kualifikuar të punës.
”’Sot ne jemi përpara një fakti shumë kokëfortë posaçërisht në industrinë e turizmit që është një industri e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi që po rrit me shpejtësi ambicien, dëshirën e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi iSshqipërisë në sytë e botës si një destinacion turistik për t’u vizituar.
Të gjitha komplekset apo strukturat hoteliere kanë jo vetëm paga të pakrahasueshme me 3-4 vite më parë por kanë edhe gatishmërinë për të paguar më shumë për të plotësuar nevojat e tyre. Dhe problemin e kanë tek kapitali njerëzor.
Kjo shkon ende në kundërshti me faktin që ne nuk kemi për momentin mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, nuk kemi mungesë të rinjsh, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësite për të cilat ai vend ka nevojë. Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektrorin publik, që nga qeveria, nga niveli qëndror, te bashkitë, shkollat profesionale, shtetërore ose private.
Është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim të pashmangshëm, mbi nevojën e bashkërendimit të forcave, mbi nevojën e investimit të përbashkët me kushte të qarta, me përfitim reciprok që të punësojmë me paga dinjizote forca pune dhe për sipërmarrjet që të ketë forca pune që i paguan me paga dinjitoze”, tha Rama.