Rruga e re ”Open Balkan”, BE mbyll portat
Nga: Redjon Shtylla
Është procesi më i gjatë dhe më i lodhshëm, integrimi i vendit në Bashkimin Europian, edhe pse thirrjet ”Shqipëria si gjithë Europa”, kanë mbi 30 vite që dëgjohen. Edhe në samitin e fundit në Slloveni, vendet anëtare të BE-së nuk dhanë asgjë sinjal pozitiv.
Zhbllokimi i negociatave të anëtarësimit nuk ndodhi as në samitin e përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Liderët e Unionit konfirmuan angazhimin ndaj rajonit, por nuk arritën të bindin Bullgarinë për të lejuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Deklarata të njëjta, thirrje të njëjta dhe asnjë sinjal për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tryezën e madhe të BE-së. Liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku përshëndetet përkushtimi për t’i dhënë prioritet demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore si dhe sundimit të ligjit, po ashtu luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet, por procesi i integrimit ka ngecur pasi BE-ja nuk ka mundur të mbajë premtimet. Rama theksoi se i ka humbur shpresat në zhbllokimin e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka do të sillte më pas sipas tij dhe çeljen e negociatave. ”Deri tani mund të shpresoj se ky bllokim i pakuptimtë nuk do të bëhet një ngjarje e përsëritur”.
Kur BE-ja duket tunel pa dritë, ”Open Balkan” është rruga e re. Këtë la të nënkuptuar edhe Rama, i cili kërkoi mbështetje nga BE për këtë nismë që Kosova e refuzon. ”Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit”, tha pa përmendur zotim për hapat e mëtejshëm që dikon ky proces.
Por Shqipëria nuk ka pse penalizohet. Procesi i anëtarësimit është i gjatë, por kjo ”tallje” me Shqipërinë nëpër samite, që asnjë herë nuk ka çelje të ngërçeve për integrimin në BE, veç se e lodhin popullin dhe politika veç se përfiton me premtimet për ta bërë Shqipërinë pjesë të unionit të Bashkimit Europian. Duket se rruga e re është ”Open Balkan”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Duket se BE-në e dëshiruar po e krijojmë mes vendeve të Ballkanit, me marrëveshje mes palëve të përfshira.