“Rruga më e madhe e kanabisit në Evropë”. BBC reportazh për kufirin shqiptaro-grek

BBC ka publikuar një reportazh mbi trafikun e kanabisit në Europë dhe sidomos, origjinën e tij nga Shqipëria, me autor gazetarin grek Kostas Koukoumakas dhe që ka në fokus kufirin e gjelbërt mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Në një distancë të shkurtër përpara është kufiri poroz me Shqipërinë. Kjo është rruga më e madhe tokësore për trafikimin e kanabisit në Evropë.

Fshati kufitar grek Haravgi i Janinës është afër, por nuk ka tela me gjemba ose ndonjë pengesë tjetër për të shënuar kufirin”, nis reportazhi.

Kanabisi trafikohet në këmbë nga shqiptarë që jetojnë në fshatrat në anën tjetër të kufirit”, thotë oficeri grek Lambros Tsoumanis, i cili kalon shumë nga koha e tij duke patrulluar këto male.

Ata janë njerëz të guximshëm, të fortë dhe i njohin të gjitha kalimet në pëllëmbë të dorës. Ata mund të mbijetojnë me ditë në pyll.”

Sipas reportazhit, nga fillimi i vitit e deri tani policia greke ka arritur të kapë 1.5 tonë kanabis, ndërsa dy vitet e mëparshme, ata kapën rreth 9 tonë.

Kontrabandistët, zakonisht të armatosur me kallashnikov, mbajnë në shpinë çantat e mbushura me 40-50 kg kanabis. Ata e fshehin drogën afër pikave të caktuara, një pemë të madhe ose një burim. Më pas çantat merren nga anëtarët e një rrjeti grek.

Sa i përket çmimit, sipas BBC, një kg kanabis me shumicë në Shqipëri mund të arrijë deri në 900 sterlina, ndërsa baronët e drogës në Itali ose Greqi paguajnë dyfishin.

Më tej reportazhi flet edhe për aksionin e Policisë Shqiptare në Lazarat.

“E gjithë ajo që duhej të ndryshonte në verën e vitit 2014, kur forcat speciale shqiptare filluan një operacion të madh në fshatin Lazarat, rreth 30 km nga kufiri grek.

Shqipëria lufton me kultivuesit e kanabisit

Pasuan disa ditë beteja. Granata dhe predha mortajash u qëlluan në drejtim të policisë, por deri në fund u konfiskuan më shumë se 10 tonë marijuanë, mijëra bimë kanabis dhe armë zjarri.

E megjithatë, deri në vitin 2016, ekonomia e kanabisit në Shqipëri ishte përhapur në të gjithë vendin, sipas Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional”.

Më tej flitet se si Ballkani është kthyer në pikën kyçe të trafikut të drogës në Europë.

“Tani, kanabisi përftohet nga prodhuesit e fshatrave si dhe nga grupet e krimit të organizuar që e shesin atë në të gjithë Bashkimin Evropian. Për një brez të rinjsh shqiptarë, tregtia e paligjshme ofron një mënyrë për të fituar para”.

Historia e një prodhuesi

“Artan, 39 vjeç, është një nga prodhuesit e rinj të kanabisit në prodhim e sipër.

Ulur në një lokal në qytetin bregdetar të Vlorës, ai shpjegon se si mund të fitosh një pasuri, të paktën derisa të kapesh.

Ti mund t’i japësh ryshfet shefin të Policisë ose Agjencisë së Luftimit të Drogës, por nëse dikush të zbulon, atëherë çdo njeri mendon për vete,” thotë ai.

Prodhimi i kanabisit dhe kontrabandimi në Greqi është bërë një joshje e madhe për të rinjtë shqiptarë.

Artani nuk është emri i tij i vërtetë. Ai kaloi dy vjet në Itali, por u kthye për të drejtuar biznesin nga shtëpia e tij.

Këtë vit gjetëm një pjesë të mirë toke në kullotat afër qytetit të Tepelenë, një ecje treorëshe në male”, thotë ai.

Ai pretendon të ketë mbjellë 50,000 bimë kanabisi vetëm këtë vit, një numër i madh edhe nga standardet shqiptare.

Ekzistojnë tre rregulla themelore, afër ujit, qëndrimi larg policisë dhe syve kureshtarë dhe durim”, thotë ai për BBC.

SHKARKO APP