“Rrugë e gjatë dhe sfiduese”, Balluku për nënshkrimin e marrëveshjes Shqipëri – Itali – Emiratet e Bashkuara Arabe
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe mes Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë për investimin në lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.
“Ka qenë një rrugë e gjatë dhe sfiduese për të arritur sot në momentin kur Shqipëria bëhet partnere e besueshme ndërkombëtarisht, me vendet lider në sektorin elektroenergjitik, falë punës së palodhur dhe angazhimit maksimal të të gjithë skuadrës.
Nënshkruam në Abu Dhabi Memorandumin e Bashkëpunimit për kuadrin e partneritet strategjik trepalësh, për energjinë dhe infrastrukturën përkatëse, ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një bashkëpunim historik për realizimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në shkallë gigavat në Shqipëri si dhe vendosjen e ndërlidhjes së transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri – Itali, si pjesë e Korridorit të 8-të energjitik”, ka shkruar zv. kryeministrja.