”Rrumi ka bërë vota për PS në Shijak”, Paloka: Rama i telefonon vetë kriminelët, kontakte në Shkodër kur Fino …
Edi Paloka i ftuar në emisionin ‘Real Story’ në News 24 ka akuzuar Ramën se ka kontakte dhe telefonata të drejtpërdrejta me kriminelët nga Shkodra deri në Sarandë.
Nënkryetari i PD ka përmendur atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja duke thënë se personi me të cilin ai ndodhej në automjet, ”Rrumi i Shijakut” ose me emrin e tij të vërtetë Aleksandër Laho ka bërë vota për Ramën në zonën e tij.
Më tej ai shton se në kohën kur deputeti i PS Bashkim Fino kandidonte për President të Federatës Shqiptare të Futbollit në 2018 Rama ka telefonuar kriminelë në Shkodër.
”Kjo histori ka nisur që me atenatin ndaj atij prokurorit në Durrës. Dhe ka nisur Rrumi këtej dhe Rrumi andej.
Por a e di ti që Rrumi i Shijakut ka qenë nga njerëzit kryesorë që i ka bërë votat aty. Janë dy dosje në prokurori që po shkojnë si top futbolli. Kur krimi të bën favor në zgjedhje të kërkon favorin në këmbim. Ky i merr në telefon vetë, një nga arsyet që nuk duhet të jetë. Ka telefonata nga Shkodra në Vlorë. Në Shkodër ka marrë telefon kriminelë për FSHF kur kandidonte Fino për kryetar. Madje ai që ka kontaktuar ka edhe dosjen. Të gjitha janë të lidhura. Nëse i fut bandat në zgjedhje atëhere ato të kërkojnë favor. ”- tha Paloka.