Ruçi: COVID-19, armik i rrezikshëm! Sa më shumë të zbatojmë masat, aq më shpejt shpëtojmë prej tij
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, iu drejtohet qytetarëve shqiptarë me një mesazh, lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi.
Duke e cilësuar COVID-19 një armik të rrezikshëm që kërcënon njerëzimin, Ruçi shpreh solidaritet me të gjithë shqiptarët “për sakrificat dhe kostot që përballojmë në betejën për mbrojtjen e jetës”.
Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtuar qytetarëve shqiptarë:
Të dashur qytetarë të Shqipërisë,
Motra dhe vëllezër,
Në këto ditë të vështira, kur të gjithë ne, si mbi një miliard njerëz në botë, jemi mbyllur në shtëpi, për tu mbrojtuar nga korobavirusi Covid -19, ky armik i rrezikshëm që kërcënon njerëzimin, shpreh solidaritetin me të gjithë ju, për sakrificat dhe kostot që përballojmë në betejën për mbrojtjen e jetës.
Jeta njerëzore është e drejta e vetme supreme dhe në emër të jetës së secilit prej nesh, fëmijëve, motrave, vëllezërve, prindërve, gjyshërve dhe gjithë të dashurve, le t’i kushtohemi të gjithë, me të gjitha liritë e detyrimet tona, në shërbim dhe në mbrojtje të jetës.
Sa më i madh të jetë përkushtimi, aq më e shkurtër do të jetë koha kur do të dalim e do të shpëtojmë nga ky rrezik global.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht masat e marra nga Qeveria dhe Kryeministri dhe vlerëson qëndrimet e Presidentit të Republikës, të institucioneve, partive politike, sipërmarrjes, shoqërisë civile e të medias që kontribojnë në këtë luftë.
Mbi të gjitha, shpreh vlerësimin dhe nderimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal për punën dhe përpjekjet titanikë të mjekëve infeksionistë dhe specialistëve të shëndetësisë për shpëtimin e jetëve njerëzore si edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të punonjësve të policisë dhe të forcave të armatosura për zbatimin me rigorozitet të rregullave të imonuara nga kjo situatë lufte.
Le të zbatojmë të gjithë me disiplinën jetësore, individuale, familjare e komunitare maksimale kufizimet e pashmangshme që na detyron mbrojtja e jetës së secilit dhe e të tjerëve.
Në emër të këtij qëllimi tē lartë, Kuvendi do të miratojë aktet normative dhe masat e marra nga Qeveria, puna për të cilat ka filluar.
Deputetët e Kuvendit, duke respektuar kufizimet dhe në pajtim me rregullat e vendosura, janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe agjencitë shtetërore dhe ndjekin me vëmendje punën e tyre.
Në përshtatje me kushtet e reja të krijuara, komisionet parlamentare do të fillojne këtë javë shqyrtimin e projekt-akteve ligjore, duke punuar online.
Të gjitha shërbimet esenciale të Kuvendit janë në punë dhe kanë përgatitur infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e Kuvendit online, derisa të krijohen kushtet për funksionimin nomal.
Kuvendi i Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë në lartësinë e funksioneve e detyrave të tij, në shërbim të qytetarëve.
Kryetari i Kuvendit
Gramoz Ruçi
Tiranë, më 24 mars 2020.