Ruçi: Minoriteti grek në Shqipëri është në shtëpinë e tij
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e Greqisë, Sophia Philippidou, me rastin e fillimit të misionit të saj në Shqipëri.
Pasi e uroi për detyrën e re, Kryetari Ruci i shprehu Ambasadores Philippidou gadishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të bashkëpunuar me Ambasadën në Tiranë për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.
Kryetari Ruçi shprehu besimin se ky bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë do të thellohet, për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dhe besimit mes popujve tanë. “Emigrantët shqiptarë në Greqi janë një urë miqësie midis të dy vendeve. Puna e tyre tyre kontribon jo vetëm për ekonominë greke, por të ardhurat e tyre janë edhe një burim për zhvillimin e Shqipërisë. Minoriteti grek në Shqipëri është në shtëpinë e tij dhe Kuvendi, qeveria dhe institucionet shqiptare kujdesen dhe garantojnë që ky komunitet të gëzojë të gjitha të drejtat si shtetas shqiptarë.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Gjatë takimit u vu në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie mes fqinjësh të mirë, partnerësh strategjikë e aleatë në NATO, të cilët ndajnë histori dhe tradita të hershme. Takimi i Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin Qirjakos Micotaqis, hapën rrugën për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, shprehu mirënjohjen për mbeshtetjen e Greqisë për hapjen e negociatave dhe besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë.
Ambasadorja Sophia Philippidou falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë së Greqisë për të punuar për zgjerimin dhe fuqizimin e këtij bashkëpunimi. “Unë jam e angazhuar për nxitjen e kontakteve midis të dy vendeve dhe avancimin hap pas hapi të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në aspekte të tjera.”, theksoi Ambasadorja Philippidou.