Ruçi përshëndet 130-vjetorin e Unionit Ndërparlamentar: Parlamentet, si shtylla të demokracisë
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka përshëndetur 130-vjetorin e krijimit të Unionit Ndërparlamentar, pjesë e të cilët është dhe Parlamenti shqiptar.
“Sot, më 30 qershor, Unioni Ndërparlamentar kremton 130-vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, i cili përkon me Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njëkohësisht Kryetar i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar, i ështe drejtuar kësaj organizate me një mesazh përshëndetës.
“Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit në 130 vjetorin e Unionit Ndërparlamentar është një ngjarje e rëndësishme për demokracinë dhe paqen në botë.
Trembëdhjetë dekadat e këtij bashkimi të gjerë, më e madhja organizatë ndërparlamentare në botë, janë një kontribut thelbësor për zhvillimin dhe nxitjen e valëve të demokratizimit në të gjithë globin. Unioni Ndërparlamentar është një faktor i fuqishëm i globalizimit dhe solidaritetit midis kombeve. Parlamentet kanë shërbyer e shërbejnë si punishte e shtylla të demokracisë si edhe nxitës të drejtësisë sociale. Kuvendi i Shqipërisë është një anëtar aktiv i Unionit Ndërparlamentar, në shërbim të bashkëpunimit parlamentar, mirëkuptimit, harmonisë, sigurisë dhe paqes midis popujve”, shkruan në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.