Ruçi: Rregullat nuk ndryshojnë në mes të lojës

 

Vendimi i Partisë Demokratike për t’i dhënë fund bojkotimit të Komisionit të posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi shkaktoi debate në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi bëri të ditur se dy ditë më parë grupi i deputetëve të PD-së dhe PR-së i kanë përcjellë një shkresë Kuvendit ku kërkojnë ndryshimin e vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke propozuar emrat e anëtarëve.

“Ne kërkojmë të futet në rend dite ndryshimi i këtij vendimi, që opozita të marrë pjesë dhe t’i hapet rruga përfaqësimit të saj në komision”, tha Halimi.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi tha se e respekton nismën e opozitës, e cila është e mirëpritur të jetë pjesë e komisionit, por  rregullat nuk mund te ndryshojnë në mes të lojës.

“Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit të vendimit, por me aq sa tha z. Halimi rregullat nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës.

Tani komisioni përkatës, siç ju e dini, është drejt përfundimit të problematikave që përmban reforma në drejtësi dhe ndryshimi i rregullave të lojës në fund të saj nuk  mund të bëhet.

Propozimi i bërë nga opozita do të thotë që ai të mos diskutohet, por të votohet”, verejti Ruçi.

Në debatin mes palëve ndërhyri kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin  kësaj çështje.

“Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes  kryetarëve të grupeve.

Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit.

Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, u shpreh Meta.

SHKARKO APP