Ruçi, uron besimtarët myslimanë: Koronavirusi nuk njeh kufij, por as solidariteti njerëzor e fetar nuk njeh kufij
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. “Besimtarët myslimanë shqiptarë, bashkë me rreth dy miliardë besimtarë të botës, po hyjnë sot në muajin e Ramazanit, muajin e besimit, sakrificës dhe shpresës njerëzore. Agjërim të lehtë, vëllezër myslimanë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe në të gjithë Diasporën!
Askush nuk do të dëshironte ta niste këtë muaj të bekuar, kështu siç jemi të detyruar ta nisim, për shkak të pandemisë së koronavirusit: të privuar nga përqafimet vëllazërore midis besimtarëve, nga mrekullimi e lumturia që krijojnë festimi sëbashku dhe ritualet që kanë mbajtur gjallë besimin më shekuj e mijëvjeçarë”,- shprehet kreu i Kuvendit në mesazhin e tij.
Kreu i Kuvendit shprehet se Ramazani i sivjetshëm vjen në një moment të vështirë për shqiptarët, por solidariteti njerëz do të triumfojë gjithmonë. “Ramazani i sivjetshëm është një festë brenda një drame, një dhimbje brenda urtësisë, një sakrificë e shtuar brenda sakrificës tradicionale të agjërimit, që na ka imponuar qëndresa stoike pandemisë COVID-19.
Por distanca sociale do të zëvëndësohet e kompensohet nga afrimi shpirtëror midis zemrave të besimtarëve dhe njerëzve tanë të dashur. Përqafimi i zemrave është po aq i fuqishëm dhe i ndjerë sa edhe përqafimi fizik. Në betejën kundër koronavirusit dhe rrugëtimin drejt të ardhmes, besimet janë e do të jenë bashkë. Koronavirusi nuk njeh kufij, por as solidariteti nuk njeh kufij. Solidariteti njerëzor, shpirtëror e fetar është bërë sot një fakt global”,- shprehet kreu i Kuvendit.
KOHA JONË SONDAZH

