Saimir Tahiri në dokumentarin italian, intervista pak para se të dënohej me burg: S’jam i korruptuar, më vunë bombat!
Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur për dokumentarin italian “I narcos albanesi” duke thënë se nuk ka qenë i korruptuar. Ai ka folur në një intervsitë për gazetarin italian Nello Trocchia ndërsa dokumentari do të transmetohet ditën e sotme në orën 21:25.
Tahiri ka thënë se nuk ka lidhje me trafikun e drogës pasi në të kundërt nuk do të shkonte në Itali në kohën kur ishte ministër dhe të kërkonte nga Guardia di Finanza që të dyfishoheshin monitorimet. Tahiri, pak ditë pas intervistës, përfundoinë burg pasi dënohet për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj, i akuzuar për lidhje me një grup kriminal të dedikuar për trafikimin e marijuanës drejt Italisë.
“Më vunë ‘bombat’ dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, marijuana nuk është histori kriminelësh, por varfërie”, thotë Tahiri në dokumentarin e realizuar nga Carmen Vogani, Lorenzo Giroffi (regjisor) dhe Marco Carta.
Ish-ministri i qeverisë së Edi Ramës, në detyrë deri në mars 2017, ishte përfshirë në hetimet e kryera në Itali, të cilat çuan në tetor të po këtij viti, në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Tahiri dyshohet se kishte lidhje me dy anëtarë të organizatës, vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të ish-ministrit, emri i të cilit ka dalë disa herë në përgjimet e kryera nga hetuesit italianë. Në maj 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga deputeti, duke përfunduar menjëherë në arrest shtëpie, për t’u hetuar në liri.
Avokati i tij Maksim Haxhia e quajti skandaloz dënimin duke njoftuar ankim.