Sali Berisha: Ahmetaj realizoi arratisjen e shekullit, Rama e porositi. Kurse Dako meriton një dekoratë që nuk iku
Sali Berisha vijon akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ka ndihmuar në arratisjen e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nga Shqipëria, ikje që ish-kryeministri e quan ”arratisja e shekullit”.
“Ju e dëgjuat në fjalën e tij 16-minutëshe, kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve, nuk shqiptoi njëherë fjalën arratisje. Ajo për Edi Ramën nuk ka ndodhur, sepse e ka porositur vetë. Shtetit i arratiset zyrtari i dytë më i lartë i ekzekutivit. Për bosin e organizatës kriminale, kjo nuk ka ndodhur. Ndaj dhe me një paturpësi dhe cinizëm ekstrem, rrahte gjoksin, fliste për drejtësinë me ministrat në arrati dhe nuk fliste për arratinë dhe paturpësinë në një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve”,-tha Berisha.
Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes së grupit të tij, Berisha bëri një paralelizëm me rastin e Vangjush Dakos, i cili nuk u largua por u dorëzua vetë në policë për tu përballur me akuzat. Sipas Berishës, Ahmetaj nga atje po kërcënon se do të flasë.
“Në një papërgjegjësi të plotë, në një apel të hapur për secilin nga zyrtarët e tij që të arratisen në rast se thirren nga drejtësia. Gjushi meriton një dekoratë që nuk u arratis. Shikoni Gjushin dhe i çonin policinë, që ti thonin të ikte. Por Gjushi nuk iku, pse, e di ai vetë. Kurse ky, i arratiset dhe nuk flet asnjë fjalë, çka do të thotë se ju të tjerët, njëri pas tjetrit. A ka kjo paturpësi, hipokrizi dhe cinizëm më të madh ndaj shqiptarëve? Afera e inceneratorëve është afera e inceneratorëve, sikundër arratisja e Ahmetajt është arratisja e shekullit”,-tha më tej Berisha.