Sali Berisha: Revolta po zien, të krijojmë sa më shpejt frontin opozitar
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot në një takim në selinë e Partisë Demokratike kryetarët e zgjedhur të degëve.
Ndërsa e konsideroi emergjente krijimin sa më shpejt të frontit opozita, Berisha riktheu sot akuzat ndaj ish-kryedemokratit Lulzim Basha, dhe drejtimit të tij në PD.
“Para jush dhe para publikut theksoj se për momentin PD ka dy armiq, një është apatia e trashëguar e induktuar në 8 vite nga qëndrimet e papërgjegjshme të udhëheqjes së saj. Pazarat e pandershme, flirtet e padenja me pushtetin e Edi Ramës. Unë mund t’u jap sot vetëm një shembull. Një nga mbështetësit e bashizmit, ish-kreu i Mallakastrës është fitues 197 tenderave nga qeveria vendore. Ndaj edhe bilbilon Enkelejdi siç i thotë Rama. Për të mos thënë problem të tjera madhore të bëra të qarta tani publikisht të Bashës e ndonjë tjetri.
Ky është një problem shumë serioz për ne. Përgjegjësia jonë është të dalim sa më shpejt nga kjo gjendje që e krijuan pazaret e udhëheqjes me qeverinë, por kjo gjendje shndërron në letër gjithë aksionin e demokratëve nga shtatori deri sot, që ngritën në këmbë forcën e tyre si forcë të vërtetë opozitare, kundrejt presioneve të jashtëzakonshme. Ata presin udhëheqjen tani, një drejtim nga ne. Revolta pakënaqësia ndaj këtij regjimi, zien dhe vlon jo vetëm në zemrat e demokratëve por dhe të një përqindje të madhe të PS apo qytetarëve pa parti. Sot, për shkak të kësaj apatie, frika është e përhapur thellë. Eshtë për detyrimet tona, sot s’mund të ketë mësues të kënaqur kur prej 8 vitesh ai nuk sheh asnjë përmirësim real të gjendjes së tij. Sheh rënie, mospërfillje, përçmim. Po kaq e vërtetë është kjo me mjekët që po ikin për shkak të një shpërfillje të plotë nga ky regjim.
Pra, orbita e pakënaqësisë dhe revoltës është shumë e madhe, detyra jonë është t’i tërheqim ata në veprimin tonë. Të bëjmë gjithçka për të vendosur bashkëpunimin me ta, për të identifikuar çdo organizatë, çdo grup interesi, çdo individ influent dhe çdo aleat tonin që ne të krijojmë me shpejt frontin opozitar” u shpreh Berisha.
Berisha vlerësoi se situata aktuale është më e vështirë se ajo e vitit 1991, pasi sot tha ai, përballen me regjim monist të vendosur nga Edi Rama.