Sali Berisha te selia e PD-së: Nesër hapen dyert e blinduara të Bashës (VIDEO)
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte rreth orës 13:20 në selinë e PD-së.
Berisha është i shoqëruar nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së, Klevis Balliu, Tritan Shehu, Flamur Noka, Edmond Spaho, Gent Strazimiri, Floriana Garo, etj.
Në një deklaratë për mediat para dyerve të mbyllura të Selisë blu, Berisha u shpreh i vendosur se ditën e nesërme dyert e selisë së Partisë Demokratike do të hapen nga anëtarësia e kësaj force politike.
Më tej, Berisha ironizoi Bashën dhe tha se blindat e vendosura për fortifikim në dyert e selisë do të hiqen dhe do t’i dërgohen me kamion afër shtëpisë së Lulzim Bashës.
“Nuk ka asnjë diskutim që dyert do hapen në mënyrën më të vendosur, që selia do t’u rikthehet demokratëve. Nuk ka blind apo beton që mund të pengojë demokratët të rikthejnë këtë ndërtesë nga burg në ndërtesë të lirisë. Ju informoj se çdo blind i vendosur në këtë ndërtesë do të ngarkohet në një kamion dhe t’i çohet Lulzim Bravës afër shtëpisë ta përdorë për çfarë të dojë”, tha Berisha.
“Prej disa ditësh shqiptarët po përjetojnë, po ndjekin në mënyrë të pabesueshme zhvillime të denja si për romanet e Franc Kafkës apo të realizmit fantastik të Garsia Markezit. Skenat e një njeriu i cili kalon nga skandali në skandal, nga aktet e turpshme në akte të tjera po kaq të turpshme. Një njeriu që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë dhe një grimcë më e vogël e integritetit moral dhe politik, e integritetit qytetar. A mundet kush të imagjinonte se një ish-lider i ri do të mbyllte karrierën e tij politike në vend të nënshtrimit të verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij në blindimin dhe shtrimin në bunker burgu të selisë së PD, bllokimin e saj, bllokimin e hyrjeve në këtë seli për deputetë të pD-së, mbushjen e kësaj selia me kriminelë delinkuentë që rëndojnë mbi shpatullat e tyre vrasje njerëzish”, theksoi më tej Berisha.
Ndaj nesër do të kemi përballje të fortë tek oborri i PD-së.
Sipas organizatorëve të protestës së nesërme pritet të mblidhen mbi 50 mijë veta.

KOHA JONË SONDAZH

