Salianji, 1 firmë larg marrjes së grupit të PD. Vijon takimet me deputetët e “grupit Alibeaj”
Lëvizja e deputetit Ervin Salianji për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn dhe për të marrë ai drejtimin e grupit parlamentar të demokratëve, ka nisur që në muajin dhjetor.
Në përpjekjen e tij të parë, Salianji arriti të sigurojë 21 firma deputetësh brenda dy kampeve të demokratëve. Pas përjashtimit që Alibeaj i bëri katër deputetëve, Tritan Shehu, Belind Këlliçi, Oerd Bylykbashi dhe Agon Shehaj, Salianji rinisi bisedimet për të marrë mbështetjen e një deputeti të vetëm që i nevojitet për ta shkarkuar Alibeajn.
Kryesimi i grupit parlamentar nga Ervin Salianji duket se fuqizon njëherazi edhe Sali Berishën në shumicë dërrmuese deputetësh, duke marrë nën kontroll drejtimin e të dy kampeve brenda demokratëve.
Për shkak të rrudhjes, grupi parlamentar i PD-së numëron 35 deputetë dhe për të siguruar drejtimin e tij Salianjit i nevojiten 18 vota deputetësh, përfshirë edhe të tijën.