Salianji: Ky është palaçollëk! Me draftin e PS do futen në Kuvend të korruptuarit e Rilindjes

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit Elektoral, veçanërisht formulën e shpërndarjes së mandateve.

Sipas demokratit propozimi i “Ramës për “listat 100% të mbyllura”, është tregues i “frikës në palcë që kanë drejtuesit e rilindjes”.

Për ish-deputetin e PD-së, me listat e hapura janë votuesit që caktojë deputetët e tyre dhe jo “renditja e partisë”. Më këtë lëvizje thotë Salianji, “votimi me renditje pa asnjë diferencë nga zgjedhjet e kaluara tenton të sjellë në parlament të korruptuarit e Rilindjes”.

“Propozimi i Ramës për lista 100% të mbyllura është çertifikimi i frikës në palcë që kanë drejtuesit e Rilindjes se pas humbjes së pushtetit do të humbin dhe ndikimin në PS! Me lista të hapura është votuesi ai që përcakton se kush behet deputet, kandidatët renditen sipas grumbullimit të votave të marra nga qytetarët dhe jo nga renditja e partisë! Nëse renditja e partisë është përcaktuese nuk ka hapje listash!

Ky propozim rrëzon dhe propagandën se ndryshimet kushtetuese u bënë për të hapur listat. Ky palaçollëk i propozuar i rrëzoi mbulesën e fundit dhe i nxori qartë frikën e përballjes me zgjedhjet dhe qytetarët!

Votimi me renditje pa asnjë diferencë nga zgjedhjet e kaluara tenton të sjellë në parlament të korruptuarit e Rilindjes! Fytyrat më të urryera nga qytetarët kërkojnë të imponohen nga Rama me marifet elektoral!”, shprehet demokrati.

SHKARKO APP