Salianji publikon reportazhin e “Rai3” për drogën: Rama mbron bosët e krimit të organizuar

Opozita i është rikthyer sërish sot reportazhit të publikuar pak kohë më parë në gjigantin italian “Rai3”, kushtuar kultivimit të kanabisit në Shqipëri, duke thënë se kjo faktoi se vendi ynë vazhdon të jetë Kolumbia e Europës.

Pas nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili, edhe ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka publikuar kronikën e “Rai3”, duke u shprehur se “Propaganda e Edi Ramës ka paguar shtrenjtë brenda dhe jashtë vendit për ta prezantuar Shqipërinë si një vend në reforma të vazhdueshme në përpjekje për të arritur standardet europiane dhe për t’iu bashkuar familjes europiane”.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

Propaganda e Edi Ramës ka paguar shtrenjtë brenda dhe jashtë vendit për ta prezantuar Shqipërinë si një vend në reforma të vazhdueshme në përpjekje për të arritur standardet europiane dhe për t’iu bashkuar familjes europiane.

Por propaganda nuk e blen dot gjithmonë të vërtetën. Reportazhi i televizionit shtetëror Rai 3, faktoi se Shqipëria vazhdon të jetë Kolumbia e Europës.

“Vendi është gjithmonë e më shumë në dorën e narko-trafikantëve”.

“Hyrja në Bashkimin Europian është një shpresë më shumë për shqiptarët që të çlirohen nga makthi i kriminalitetit”.

“Prodhimi i kanabis është rritur 1200%”.

“Janë 100 mijë rrënjë kanabisi të fshehura”.

“Mafia shqiptare rol kryesor në trafikun e kokainës”

Këto mund t’ju tingëllojnë si fjalë të thëna nga çdo opozitar me qeverinë, por ky është qëndrimi i televizionit shtetëror italian dhe i prokurorit antimafia të Leçes për gjendjen në Shqipëri.

Le ta ndjekim me zë dhe me figurë dëshminë e gazetarit italian Valerio Cataldi, i cili u kërcënua më parë në Shqipëri për një tjetër denoncim të lidhjes së pushtetit me trafikun e drogës.

KRONIKA E PLOTË

Dëshmia e sjellë nga Rai 3 dëshmon dështimin e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bundestagut për nisjen e negociatave- luftën kundër krimit të organizuar. Në Shqipëri, krimi i organizuar jo vetëm nuk po luftohet, por, i mbrojtur nga partia në pushtet, është shndërruar në lojtar kryesor në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Prej 6 vjetësh, nuk ka asnjë bos të krimit të organizuar në burg. Nuk ka asnjë bos të trafikut të drogës të arrestuar. Burgjet e Sandër Lleshajt kanë mbushur me opozitarë që protestojnë kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të varfër që punojnë parcelat me kanabis.

Bosët janë të gjithë të lirë, sepse i sigurojnë Edi Ramës para për të blerë votat dhe për të mbajtur në këmbë projektin e tij për vjedhjen e zgjedhjeve dhe kapjen e drejtësisë.

Reportazhi i Rai 3 rrëzon propagandë prej miliona eurosh të qeverisë se ajo e ka asgjësuar kanabisin. Vetëm pak ditë më parë u kapën në Greqi 1.2 ton drogë, ndërsa në brigjet italiane kjo është një ngjarje e zakonshme.

Është e qartë favorizimi i hapur që i bën Rama trafikantëve të drogës për interesit e tij personale politike, është e qartë për këdo që me Edi Ramën në qeverisje fëmijët në shkolla gjejnë më lehtësisht kanabis se stilolapsa, se me Ramën biznesi kriminal i drogës po mbyt çdo konkurrencë dhe mundësi që biznesi i ndershëm të ngrejë kokë, se me Ramën në qeveri te arsimuarit të shkolluarit nuk kanë të ardhme, është e qartë se rendi dhe siguria publike, jeta dhe prona e qytetarëve është e pasigurt prej bandave dhe kriminelëve të veshur me pushtet.

Qytetarët nuk e duan dhe nuk e pranojnë këtë realitet. Së bashku me ta ne do ta shkëpusim Shqipërinë nga zgjedha e krimit.

Lufta ndaj krimit është prioritet kryesor i Partisë Demokratike. Ne jemi të vendosur ta shkërmoqim krimin e organizuar, lidhjet e tij me politikën dhe të çojmë para përgjegjësisë penale çdo bandit, qoftë ai Kryeministër, deputet, kryetar bashkie apo bos i krimit të organizuar.

SHKARKO APP