Samit pa datë integrimi, Bushati: BE të kushtëzojë ndihmat me reformat

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, shpreh rezerva ndaj qasjes së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Në një analizë të tij në lidhje me samitin e Zagrebit, 20 vjet nga samiti i parë, ai i vitit 2000, Bushati konstaton se tematika nuk ka ndryshuar shumë në këta 20 vjet, hendeku mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nuk është zvogëluar, ndërsa konteksti gjeopolitik ka ndryshuar. Sipas tij, në këta 20 vjet, vetëm Kroacia është anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Kritikat e tij vijnë ndaj Komisionit Europian dhe peshës së propozimeve të tij për vendet aspirante. “Zgjerimi, megjithëse një temë jopopullore, përballohej nga politikanë të regjur, siç ishte rasti i Komisionerit gjerman të Zgjerimit, Gunter Verheugen. Raportet e monitorimit të reformave lexoheshin si librat e shenjtë”, shkruan Bushati.

DITMIR BUSHATI

Në nëntorin e vitit 2000, Bashkimi Europian në Zagreb prezantoi procesin e Stabilizim-Asociimit për vendet e Europës Juglindore. Në dokumentin e miratuar theksohej lidhja ndërmjet progresit të vendeve të rajonit drejt demokracisë, sundimit të së drejtës, pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal nga njëra anë dhe perspektivës së anëtarësimit në BE nga anën tjetër. 20 vjet më pas, në dokumentin e miratuar këtë javë në samitin e Zagrebit, që mblodhi virtualisht udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për fat të keq, tematika nuk ka ndryshuar shumë. Ndërkohë që nga grupi i vendeve, pjesë e Procesit të StabilizimAsociimit, vetëm Kroacia arriti të bëhej vend anëtar i BE-së në vitin 2013. Tematika nuk ka ndryshuar shumë në këto 20 vjet. Hendeku mes nesh dhe BE-së nuk është zvogëluar. Mirëpo, konteksti gjeopolitik ka ndryshuar. Viti 2000 shënonte fazën përfundimtare të anëtarësimit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE. E në të njëjtën kohë, triumfin e demokracisë liberale, ku vendet e Lindjes ish-komuniste të etura për ndryshim, ishin përfshirë në një proces reformimi, demokratizimi dhe transformimi ekonomik. Asokohe ishte e vështirë të vendosje pikëpyetje mbi “standardin europian” dhe vlerat e demokracisë liberale dhe pakkush do ta mendonte se procesi i “imitimit” të vendeve të Perëndimit të Europës së Bashkuar nga vendet e Lindjes ish-komuniste nuk do të përtypej kollaj. Zgjerimi, megjithëse një temë jopopullore, përballohej nga politikanë të regjur, siç ishte rasti i Komisionerit gjerman të Zgjerimit, Gunter Verheugen. Raportet e monitorimit të reformave lexoheshin si librat e shenjtë. Po kështu, aleanca euroatlantike ishte në kulmin e mirëkuptimit të vet, duke projektuar zgjerimin më të madh në historinë e saj dhe zvogëlimin e ndikimit rus në arkitekturën e sigurisë europiane. Richard Holbrooke, i referohej SHBA-së si fuqi europiane dhe jo si një fuqi në Europë. Kriza financiare e vitit 2008, e pasuar nga kriza e paprecedent e refugjatëve që vinin nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, nxori në sipërfaqe krahas dallimeve ekonomike dhe financiare ndërmjet veriut dhe jugut, dallimet rreth vlerave e demokracisë liberale ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes së BEsë. Brexit ishte gjithashtu një goditje për projektin europian. Afërmendsh, kjo situatë u reflektua edhe në cilësinë e shpejtësinë e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Paradoksalisht, sot kemi vende anëtare të BE-së që janë në proces disiplinor për shkelje të “standardit europian”, sikurse vende kandidate që edhe pse kanë vite në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, kanë pësuar regres demokratik. Kjo është arsyeja kryesore se përse dokumenti i Zagrebit i vitit 2020 është i ngjashëm me atë të para 20 viteve, me përjashtim të përgjigjes për situatën e shkaktuar nga pandemia. Pikërisht, mënyra sesi BE-ja do të bashkëpunojë me vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjigjen ndaj Covid-19, mund dhe duhet të ridimensionojë edhe marrëdhëniet mes tyre. Pavarësisht dobësive të politikës së BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe konsolidimit të status quo-s në rajon, shoqëruar me mungesën e zhvillimit të domosdoshëm ekonomik dhe rënien demografike, për shkak të emigrimit drejt vendeve më të zhvilluara të Europës, sërish BE-ja vijon të mbetet një pol tërheqës për vendet e rajonit. Çështja shtrohet tek efektiviteti i kësaj politike. Ndaj, paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 3.3 miliardë eurosh duhet shoqëruar me një mekanizëm angazhues e llogaridhënës që kombinon zhvillimin ekonomik e social, me progresin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Pasi nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik, sikurse nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm pa sundim të së drejtës. Në librin e tyre “Pse kombet dështojnë – origjina e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë”, studiuesit amerikanë, Daron Acemoglu dhe James Robinson, argumentojnë ndërlidhjen mes funksionimit të institucioneve politike nga njëra anë dhe prosperitetit ekonomik e shoqëror nga ana tjetër. Prosperiteti ndihmon krijimin e institucioneve politike funksionale e të qëndrueshme, çka ende mungojnë në rastin tonë. Në rast se pas shembjes së Murit të Berlinit mbizotëroi ideja se gjeopolitika po humbte rëndësinë, sot Komisioni Europian e konsideron veten një “komision gjeopolitik”. Prandaj, në vend që të mjaftohet me “rikonfirmimin e perspektivës europiane për vendet e rajonit”, BE-ja duhet ta fitojë betejën gjeopolitike para së gjithash në oborrin e shtëpisë së vet, pasi investimi i saj në rajon është i pakrahasueshëm me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. BE-ja duhet të nxisë kësisoj një model të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik që vjen dora-dorës me zhvillimin politik e institucional, duke përcaktuar vija të kuqe për “standardin europian”, të cilat nuk duhen lejuar që të kthehen në vija në rërë.

SHKARKO APP