Samiti BE-Ballkani Perëndimor këtë të mërkurë në Slloveni: Të pranohen anëtarë të rinj
Këtë të mërkurë (datë 6 tetor), liderët e Bashkimit Europian dhe kolegët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhen bashkë në samitin që do të mbahet në Brdo të Sllovenisë, ku do të rikërkohet përkushtimi i ndërsjellë për lidhje më të ngushta.
27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës, që do të miratohet në këtë samit. Liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.
Shtetet anëtare janë pajtuar që të përmendet edhe kushti i zhvillimit të brendshëm të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj. BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.