Samiti dhe mikpritja shqiptare, jehonë në gazetat gjermane
Jehona e samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt të martën në Tiranë me liderë nga 26 vendet e Europës, ka zënë vend në mediat më prestigjoze në Gjermani.
Dy gazetat më të mëdhaja gjermane, janë hapur në faqet e para me koreografinë me valle popullore shqiptare, shfaqje e cila u performua para liderëve të BE-Ballkani Perëndimor.
Fotot i ka publikuar kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se mbresat që la Shqipëria si vend pritës, janë fantastike.
”Për herë të parë në histori Shqipëria merr lajmin dhe pamjen kryesore në hapësirën qendrore të faqes së parë të dy prej gazetave më të mëdha të Gjermanisë; për mirë natyrisht. Mbresat që kemi lënë dje për Shqipërinë si vend pritës dhe Tiranën si vendngjarje, janë realisht fantastike. Tek të gjithë”.