Samiti i BE-së në Tiranë, detajet e organizimit. Perimetër sigurie te Kryeministria, aty Berisha do protestë

Si kurrë më parë në historinë e saj, Tirana do të presë më 6 dhjetor, liderë nga 30 shtete të Europës, në një Samit të madh të BE-Ballkani Perëndimor. Samiti i BE-BP do të mbahet në Arenën Kombëtare.

Për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.

Përveç stafeve dhe personave të akredituar, do jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. POR, në këtë perimetër synon edhe Sali Berisha që të mbajë protestën.

Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30. Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia.

Kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

SHKARKO APP