Samiti i Ohrit, Rama, Vuçiç dhe Zaev diskutojnë sot për “Shengenin e Ballkanit”
Ashtu sikundër është parashikuar, ditën e sotme do të mbahet samiti i Ohrit. Ky samit ka mbledhur bashkë liderët e Ballkanit, kryeministrin Edi Rama, homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, ku do të diskutohet mbi zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian, ku përfshihen lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve. Po ashtu në axhendë është përcaktuar që në orën 12:00 të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp mes tre përfaqësuesve të këtyre shteteve.
Në axhendën e samitit është parashikuar që pjesëmarrës do të jenë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në takim. Ai theksoi dje përmes një postimi në rrjetet sociale se Kosova nuk mund të marrë pjesë në një samit, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e saj.
Shefi i qeverisë shqiptare mbërriti dje pasdite në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u takua me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev. Takimi i parë mes tre liderëve u zhvillua në kryeqytetin e Serbisë pak ditë para se Këshilli i Evropës të jepte verdiktin për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku u fol edhe për krijimin e ‘Shengenit të Ballkanit’.