Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, zbardhet agjenda. Ja liderët europianë që do të marrin pjesë
Kryeministri Edi Rama do të presë të hënën në orën 11:00 presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentjen e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel si dhe liderë të tjerë evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.
Kjo vizitë do të jetë në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet për herë të parë jashtë kufijve politikë të BE-së.
Është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Mësohet se punimet e samitit nisin në orën 11:00 dhe kryeministri Edi Rama do të presë përpara kryeministrisë liderët evropianë dhe ballkanikë për të shkuar më pas te Piramida e Tiranës.
Fjala hapëse do të jetë nga kryeministri Rama, më pas nga Von Der Leyen dhe Michel. Më pas do të ketë takime të mbyllura që do të vijojnë deri në orët e pasdites dhe është parashikuar edhe mbajtja e një konference të përbashkët shtypi mes Ramës, Von Der Leyen dhe Michel.