Samiti i Vjenës, liderët e Ballkanit do të përfaqësohen nga Vuçiç
Çështja e klandestinëve që është shndërruar në një problem edhe për Ballkanin pritet të dominojë samitin e Vjenës më 27 gusht, mes liderëve të ballkanit perëndimor dhe zyrtarëve të lartë të BE.
Samiti do të drejtohet nga kancelari austriak Werner Faymann, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme Federika Mogherini.
Këtë herë, liderët e Ballkanit do të përfaqësohen në konferencën përmbyllëse të samitit nga kryeminsitri serb Alexander Vuçiç dhe jo kryeminsitri shqiptar Rama.
Sipas Tanjug, axhenda e ofruar nga kancelari austriak parashikon një fjalim hapës nga kancelari austriak Faymann dhe ministri Josef Ostermeier, dhe më pas takimi do të vijojë me dyer të mbyllura ndërsa rezultatet do të publikohen në konferencën e shtypit.
Gjatë samitit, kryeminsitri serb Vuçiç dhe ai kosovar Isa Mustafa do të prezantojnë projektin e austrodaës Nis-Prishtina-Durrës, në prani edhe të kreut të bankës europiane të investimeve.
Ndërkohë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit do të diskutojnë në një takim të veçantë bashkëpunimin rajonal, emigrimin dhe luftën ndaj ekstremizmit, ndërsa ministrat e ekonomisë do të diskutojnë bashkëpunimin ekonomik në prani edhe të zyrtarëve të lartë të shtetit austriak. Ora News ka arritur të sigurojë në rrugë konfidenciale draftin me të cilin pala shqiptare do të udhëtojë drejt Samitit të Vjenës më 27 gusht, ku pritet të diskutohen mes 7 vendeve të rajonit dhe liderëve kryesorë të BE, prespektivat e Ballkanit drejt Integrimit. Në fokus do të jenë infrastruktura bashkëpunimi rinor dhe politikat e fqinjësisë. Shqipëria paraqitet me 5 projekte në përpjekje për të marrë mbështetje financiare.