Samiti në Bruksel, Rama: Kërkova të hiqen sanksionet ndaj Kosovës, Serbia të kthehet në anën e duhur

Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me gazetarët tregoi se gjatë samitit të djeshëm mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, ka folur edhe për Kosovën. Rama tha se ka bërë thirrje së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, që Këshilli Europian të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës.

Fjala e plotë

Kam prekur çështjen e procesit të normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, më falni Serbisë sepse Shqipëria dhe Kosova e kanë kollaj dhe aty kam theksuar edhe në praninë e përfaqësues së shtetit të Republikës së Serbisë se me të njëjtën qartësi dhe me të njëjtën gjuhë të troçtë që unë në të njëjtin vend apo në të tjera rrethana dhe takime kam shprehur bindjen se Serbia nuk duhej sanksionuar për moslinjëzimin me BE në sanksionet ndaj Rusisë se Serbia nuk ka asnjë të ardhme tjetër përveçse nën çatinë e Europës së bashkuar.

Se çfarë ndodhi në Banjskë dhe shpallja e zisë kombëtare që pasoi për vrasjet e efektivit të policisë, jo vetëm që ishte një ngjarje asnjë lidhje me vlerat europiane, por ka lëkundur besimin dhe ka vënë në pikëpyetje linjën e gjatë të kredisë në kuptimin politik, që unioni së bashku me vendet e tjera të rajonit, përjashtuar Kosovën në këtë rast i kanë dhënë Serbisë për ta nxitur që të përfshihet përfundimisht në anën e duhur të historisë së këtij rajoni dhe për të mbajtur sa më larg zjarrin e përhapjes së konfliktit, që ka shpërthyer në Ukrainë. Prandaj është koha që të përballet me vetveten dhe të vendosë të gjithë gurët tek e ardhmja europiane e rajonit dhe t’i përgjigjet në mënyrë konstruktive ndryshimit pozitiv të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Dhe po ashtu i jam drejtuar edhe përfaqësueses së lartë të Republikës së Kosovës në tryezë, si dhe Kryeministrit në mungesë, ashtu sikundër dhe Presidentit të Serbisë në mungesë patjetër, me të njëjtën gjuhë troç, që Kosova nuk ka asnjë arsye, por mbi të gjitha ka vetëm humbje nëse humbet interesin e miqve dhe aleatëve të saj të mëdhenj në atë tryezë, duke u sjellë siç është sjellë për një kohë të caktuar më parë, çka është një humbje, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, i cili e ka të nevojshme si dritën, si ajrin, si ujin për jetën që të dalë përfundimisht nga zona e dhimbshme dhe degraduese e historisë.

Kam theksuar se tani është koha që Kosova të vazhdojë më tutje dhe të ndërtojë qasjen mbi themelin e ri që ka vënë, me hapin shumë pozitiv që hodhi, duke e pranuar pas një humbje kohe të gjatë, por nuk ka më rendësi kjo gjë, krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe dhe duke bërë kështu që t’i hapë rrugë restaurimit të besimit shumë të dëmtuar të miqve dhe të aleatëve, por edhe të gjithë përfitimeve që vijnë nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për të ardhmen e Kosovës dhe për të ardhmen e rajonit.

Dhe kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës që Këshilli Europian të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe duke bërë këtë, t’i japë Kosovës mbrapsht një inkurajim, një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE.

Më tutje, kam vlerësuar planin e ri të rritjes siç quhet, që është prezantuar nga i cili Shqipëria do të ketë një përfitim të rëndësishëm si mbështetje e drejtpërdrejtë financiare dhe si mbështetje në anën tjetër për sektorin e ekonomisë dhe kam kërkuar më shumë sepse eshtë shumë e qartë që kaq nuk mjafton. Vendet e rajonit tonë nuk mund të rrinë midis gjithçkasë së një vendi anëtar dhe kësaj diçkaje shumë modeste të një vendi jo anëtar, por duhet të ndihmohen shumë më tepër, duhet të mbështeten shumë më tepër, duhet t’u hapen rrugë të reja për t’u integruar në ndërkohë në tregun e përbashkët europian, për të pasur të tjera mjete financiare dhe një tjetër status të ndërmjetëm midis statusit të një vendi kandidat që negocion dhe statusit të një vendi plotësisht anëtar, ka rrugë për të një status të ndërmjetëm dhe për një prani të plotë të vendeve tona në gjithë ngrehinën e BE në Bruksel.

Këto qenë pak a shumë pikat kyçe që në një farë mënyrë kanë qenë pjesë e kornizës së diskutimit të bërë ditën e djeshme të këshillit evropian, ku e përsëris edhe njëherë tjetër, Shqipëria është me një pozitë dhe në një raport si asnjëherë më parë, e barabartë mes të barabartësh dhe e respektuar, e vlerësuar, e dëgjuar, njësoj si të gjitha vendet e tjera dhe mbi të gjitha me dinjitetin e plotë të një shteti që nuk pranon të trajtohet asnjë fije ndryshe nga askush tjetër.

SHKARKO APP