Samiti në Tiranë, Ditmir Bushati: Duhet lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati thotë se samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt këtë të martë në Tiranë, duhet lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon. ”Është koha që të punohet për zbutjen e hendekut zhvillimor mes rajonit tonë dhe BE-së, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në mënyrë që anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor më në fund të bëhet realitet”.
Postimi i plotë
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vite që presin për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Zhvillimi i të parit Samit BE – Ballkan Perëndimor, në Tiranë , duhet lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon, si pasojë e dinamikës së re të krijuar në Europë me pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë.
Zgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës, nuk është çështje e rendit alfabetik e as rastësi, por tregues i besimit të palëkundur të partnerëve tanë, për shkak të qëndrimeve të linjëzuara që vendi ynë ka mbajtur në vazhdimësi, si pjesë e familjës euro-atlantike.
Përmbajtja e deklaratës së Samitit të Tiranës, në dallim nga ato të Sofies, Zagrebit dhe Brdos është një hap përpara, pasi jo vetëm rikonfirmon angazhimin e plotë të BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, por edhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit, bazuar në reformat e besueshme, kushtëzimin e ndershëm e rigoroz dhe meritën individuale, si një proces me interes të ndërsjellë për rajonin dhe BE-në.
Është koha që të punohet për zbutjen e hendekut zhvillimor mes rajonit tonë dhe BE-së, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në mënyrë që anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor më në fund të bëhet realitet!