Schulz: Problemet e brendshme politike mos i eksportoni në Parlamentin Europian

 

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz e nisi vizitën e tij në Tiranë me takimin me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Pas takimit mes dy zyrtarëve, në konferencën e përbashkët për shtyp, Kreu i Kuvendit Ilir Meta fillimisht përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Bashkimit Europian dhe Greqisë, e cila tha ai përbën një hap pozitiv, jo vetëm për Europën, por dhe për vendin tonë.

“Dua po ashtu të përshëndes vetë përpjekjet e Presidentit Schulz për të arritur një zgjidhje, e cila e forcon Europën dhe besimin ndaj saj”, shtoi ai.

Në vijim, kryetari i Kuvendit, e konsideroi vizitën e Presidentit të PE-së një tregues të qartë të vëmendjes së vazhdueshme dhe mbështetjes së fuqishme që BE, por sidomos Parlamenti Europian ka ndaj Shqipërisë dhe vendeve të rajonit tonë.

“Parlamenti Europian ka qënë gjithnjë në avangardë të mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë dhe një hap para në mbajtjen gjallë të perspektivës drejt BE-së edhe në këto kohë të vështira”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se "kam shprehur Presidentit te PE garancinë tonë për të vijuar me përmbushjen e reformave dhe përmbushjen e 5 prioriteteve. Pas përfundimit me sukses të reformës territoriale dhe zgjedhjeve fokusi kryesor mbetet reforma në drejtësi. Kam siguruar Shultz se Kuvendi do ta rrisë rolin e tij mbikëqyrës ndaj zbatimit të prioriteteve".

Nga ana e tij, Presidenti i PE-së theksoi se Shqipëria duhet të realizojë 5 prioritetet, duke cilësuar reformën në drejtësi si efektive dhe gjithëpërfshirëse.

Schulz kërkoi realizimin e 5 prioriteteve, duke shprehur mbështetjen e Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë.

Gjithashtu ai i drejtoi një apel politikës shqiptare që problemet e brendshme politike të mos i eksportojnë drejt Parlamentit Europian.

Presidenti i PE-së vlerësoi rolin e Shqipërisë në Rajon dhe bashkëpunimin mes këtyre vendeve.  

 

SHKARKO APP