Seanca në FOTO – Nga nderimi i viktimave në Maqedoni, “nxirja” e Ramës, deri tek ndjekja penale e Palokës
Edhe pse në dukje duhet të ishte një seancë simbolike, ku Kuvendi i Shqipërisë do të jepte dritën jeshile për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, seanca e sotme plenare është përfshirë në tensione.
Fillimisht seanca nisi një minutë heshtje duke nderuar viktimat e aksidentit tragjik mbrëmjen e djeshme në Maqedoni.
Më pas fjalën e rastit e mori kryeministri Edi Rama i cili e ftoi Kuvendin e Shqipërisë të votojë pro ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO
“Të votojmë me bindjen që më e mira është para nesh” u shpreh kryeministri Rama i cili në fjalën e tij nënvizoi se pa marrëveshjen e Prespës nuk do të kishte anëtarësim në NATO.
“Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut. Nëse sot situata në Maqedoninë e Veriut është më mirë se asnjëherë tjetër i dedikohet rolit konstruktiv të lidershipit të shqiptarëve dhe lidershipit kurajoz të Zoran Zaev” u shpreh Rama.
Ndërkaq, duke marrë shkas edhe nga prania në sallë e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, kryedemokrati Lulzim Basha do ti shprehte nga foltorja e Kuvendit ngushëllimet e tij për aksidentin në fjalë.
“Sot nuk është një situatë normale, për disa arsye, – tha Basha. – Akti i mbështetjes nga të gjitha partitë në Maqedoni të aderimit në NATO duhet të ishte një mesazh feste në Shqipëri. Por aksidenti tragjik i natës së mbrëmshme ka tronditur rëndë popullin shqiptar, popullin e Maqedonisë së Veriut ndaj dua t’u drejtoj familjarëve të viktimave, në emrin tim dhe të PD-së, ngushëllimet më të ndjera”- tha Basha.
E ndërkohë që Basha doli në foltore pasi shprehu mbështetjen e tij për përpjekjet e faktorit politik shqiptar për progresin e bërë, e zhvendosi fjalimin tek protesta e 16 shkurtit.
“Ngushëllime edhe ju, zoti Talat Xhaferri, që gjendeni sot këtu tek ne… Por sot, z. Xhaferri, ju gjendeni në mortin e dytë, atë të kapjes së Shqipërisë nga një qeveri që ka tradhtuar qytetarët e saj. Jeni të pranishëm në një Parlament të paligjshëm të zgjedhur nga bandat e krimit të organizuar. Ju jeni të pranishëm në një sallë që quhet Kuvend, por është i mbushur me njerëz që kanë ardhur si shprehje e vullnetit të bandave dhe krimit të organizuar dhe një grusht oligarkësh. Hajdutë me lekë të vjedhur kanë blerë dhe mandatet e ulur në këtë karrige. Të shtunën protesta do të zhvillohet protesta më e madhe në Shqipëri në këto 30 vite. Kjo qeveri ka tradhtuar interesin publik, u kap në flagrancë duke vjedhur. 1 në 3 mandate nuk përfaqëson votën e socialistëve, por të krerëve të bandave, narkomanëve”- deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.
Pamjet nga punimet e sotme parlamentare të fiksuara nga agjencia e lajmeve LSA
Replika e Ramës
Nisur nga fjalimi i kundërshtarit të tij politik, kryeministri Edi Rama vendosi t’i kërkojë ndjesë kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi pas fjalimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili fillimisht ka përshëndetur ratifikimin e Protokollit të Aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, por më pas ka folur për një gjendje të rëndë në Shqipëri.
Basha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama por ky i fundit menjëherë pasi ka mbyllur fjalën kreu i PD-së, kërkoi të fliste sërish.
Rama i kërkoi ndjesë Xhaferit, siç tha ai për shkeljen e kodit të mikpritjes dhe e cilësoi Bashën një fëmijë që nuk di çfarë thotë.
“I dashur miku ynë kryetar i kuvendit të Maqedonisë, unë ju kërkoj ndjesë për këtë shkelje të kodit të mikpritjes por dua tju siguroj se fëmiu që sapo foli jo vetëm që nuk i mendon ato që thotë por thjesht nuk e di se çfarë thotë. Edhe njëherë ju kërkoj ndjesë”, tha Rama.
Por menjëherë pas kësaj, nënkryetari i PD Edi Paloka është çuar nga vendi i tij dhe i ka hedhur kryeministrit Rama një shiringë me bojë, dhe në këtë moment kryeparlamentari Gramoz Ruçi kërkoi përjashtimin e tij nga seanca, duke e ndërprerë seancën për afro një orë, kohë kjo e mjaftueshme që kryeministri Rama të pastrohej dhe të ndërronte xhaketën e bojatisur nga Paloka.
Dhe me rinisjen e punimeve, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Projektligji “për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut” u miratua me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ratifikimin e protokollit në fjalë, do ta përshëndeste edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.
“Fillimisht dua t’ju siguroj se këto situata nuk janë të parat. Kanë kaluar të gjitha sfidat. Qëllimi është ajo që ndodhi paraprakisht. Ju drejtohem në emrin tim dhe deputetëve në Maqedoninë e veriut të shpreh mirënjohjen që na besuat dhe na mbështetët. Jam dëshmitar i miqësisë së vërtetë. Marrëdhëniet mes dy shteteve janë të lidhura me fijet e forta të miqësisë por edhe në fushën e bashkëpunimit politik kulturor. Jemi të përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie për t ë gjithë pa dallime etnike apo sociale. Synimi ynë është krijimi i një shteti demokratik, prandaj punojmë me përkushtim”, tha kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferri, ç’ka shënoi dhe përfundimin e seancës plenare.
Hetimet për Palokën
Pak minuta pas mbylljes së seancës plenare, Garda e Reopublikës dhe Policia e Shtetit përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, njoftuan nisjen e hetimeve për ndjekje penale të nënkryetarit të PD-së Edi Paloka.
“Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”- thuhet në njoftimin e Gardës dhe Policisë së Shtetit.
Vendimi i Byrosë
Ndërkaq, Byroja e Kuvendit e mbledhur me urgjencës njoftoi se ka përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare deputetin e PD Edi Paloka. Vendimi i Byrosë ka ardhur pasi Paloka i hodhi bojë në fytyrë kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme parlamentare, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri. Reagimi i Palokës ka ardhur pas fjalës së Bashës, si dhe replikës së Ramës. Kryeministri i kërkoi falje Talat Xhaferit për sjelljen e Bashës, duke e quajtur “fëmijë, që nuk di çfarë bën dhe çfarë flet”. “Ju kërkoj ndjesë për këtë shkelje të kodit të mikpritjes, por fëmiu që sapo foli jo vetëm që nuk i mendon ato që thotë por nuk di edhe çfarë thotë”, tha Rama që solli irritimin e deputeteve të opozitës.
/ Koha Jonë