Seanca nis me përplasje për situatën e helmimit në Krujë. Balla, debate me Rushajn
Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka kërkuar ndryshim të rendit të ditës, në mënyrë që të futet si pikë e parë diskutimi situata e rënduar nga helmimi në Krujë.
Por kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se ngjarja në Krujë nuk duhet të politizohet, por sipas tij, duhen pritur autoritetet të bëjnë hetimet përkatëse.
Pjesë nga debati
Rushaj: Kemi depozituar një kërkesë. Rezulton që kemi të bëjmë me papërgjegjshmëri në Krujë. Sapo paraqitëm kërkesën të firmosur nga 44 deputetë dhe kërkojmë që të ndryshohet rendi i ditës dhe të vendoset si pikë e parë diskutimi për situatën emergjente të krijuar nga ndotja e ujit të pijshëm në Krujë. Mendoj që Kuvendi e ka detyrim të diskutojë për këtë ngjarje të rëndë që ka çuar në dëmtime masive të shëndetit të qytetarëve në këtë Bashki.
Balla: Unë dua t’u uroj shërim të plotë të gjithë banorëve që siç raportohet rezulton të jenë të kontaminuar nga uji i pijshëm dhe sigurisht që prokuroria dhe policia po bëjnë të gjithë hetimet. Nuk e di që Kuvendi ka atribute të bëjë hetime penale apo të karakterit mjekësor. Këto duhet ti bëjnë autoritetet shtetërore. Besoj që deri javën e ardhshme, qoftë ministrja e Shëndetësisë apo ministri i Brendshëm do të jenë në gjendje t’i bëjnë Kuvendit një informacion të plotë. Sa i përket sugjerimit tim, në Kuvend mund të kërkosh ndryshim të rendit të ditës për një projektligj. Në këtë këndvështrim, Rushaj dhe grupi juaj gëzoni të drejtën për një interpelancë. Unë do të propozoja që ngjarje të tilla të kenë sa më pak politizim dhe sa më shumë hetim e përgjegjësi. Nuk mendoj se duhet të hyjë në rendin e ditës sepse nuk ka një interpelancë.
Rushaj: Të gjitha institucionet janë të mirëpritura të bëjnë punën e tyre, por në këtë Kuvend kemi deputetë që përfaqësojnë Krujën. Ata duan të diskutojnë pse ka ndodhur dhe cilat janë masat e marra që kjo gjë të mos përsëritet më. Kjo ngjarje është shumë e rëndë.
Balla: Nuk ka asnjë projektligj asnjë interpelancë, që parlamenti sipas oreksit tuaj të kthehet në një instrument diskutimi. Keni një interpelancë me shumë rëndësi dhe ju shpreh garancinë që interpelanca do të mbahen. Ftojmë zv.kryeminstrin dhe Xhaferrajn të mbajnë interpelancën dhe në këtë këndvështrim ju kujtoj që çështjet që shton Kuvendi nuk janë debate kafenesh. Ju kërkoj ju lutem, nuk duhet politizuar ajo ngjarje dhe në seancën tjetër mund të kërkoni një interpelancë, me ministren e shëndetësisë, të brendshmen, të infrastrukturës dhe energjisë.
Rushaj: Nuk ju kërkova as të bëjmë hetime, dua të ndryshojmë rendin e ditës dhe të vazhdojmë këtë seancë me këtë ngjarje që është shumë shqetësuese.
Nikolla: Mirë është të presim përgjigjen e organeve kompetente për këtë ngjarje. Bashkohemi me njerëzit që kanë probleme në Krujë, por nuk duhet bërë politikë me këto situata. Mendoj që nuk është koha dhe momenti që ne të vijojmë me ndryshimin e rendit të ditës dhe për të cilat kemi rëndë dakord edhe në mbledhjen e kryetarëve.