Segmenti i rrugës nga Banka e Shqipërisë te ura e Lanës do të quhet “Dëshmorët e 4 shkurtit”
Sot mbushen 79 vjet nga masakra e “4 Shkurtit” në Tiranë. Në përkujtim e nderim të viktimave të kësaj masakre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrë kryetarë të organizatave Kombëtare të Veteranëve dhe familjarë të dëshmorëve të “4 Shkurtit”, për emërtimin e segmentit të rrugës nga Banka e Shqipërisë deri te lumi i Lanës, me emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
Kryebashkiaku tha se ndihet krenar për punën që po bëhet nga Bashkia e Tiranës për emërtimin me dinjitet të rrugëve të kryeqytetit.
“Jam shumë krenar për Këshillin Bashkiak që vendosëm të rikthejmë dinjitetin në vend, të zhbëjmë një padrejtësi me emërtesat në Tiranë. E kuptoj se sisteme të ndryshme, regjime të ndryshme, qeveri të ndryshme, politika të ndryshme, parti të ndryshme, kanë opinionet e tyre. Por, mendoj se disa gjëra, tashmë janë të rrënjosura në historinë tonë, si roli i Skënderbeut, roli i Rilindasve, roli i Lëvizjes Anti-Fashiste, dhe është fakt se Tirana është çliruar me forcat e veta. Është fakt se Tirana pati 86 viktima, të cilët njihen si ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’. Është fakt se rruga ka qenë gjithmonë aty, ndaj rikthimi i emërtimit për segmentin nga Banka e Shqipërisë deri te Lumi i Lanës, si rrugë paralele me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rikthen këtë padrejtësi të bërë ndaj familjeve, ndaj dëshmorëve, dhe atyre që besojnë te kauza e anti-fashizmit”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se këto data të rëndësishme duhet t’i bëjnë bashkë shqiptarët dhe jo t’i përçajnë ata.
KOHA JONË SONDAZH

