Sejko bën bilancin e 2023: Kishim normë të lartë të rritjes ekonomike. U kontrollua inflacioni

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në lidhje me vitin 2023.

Ai u shpreh se forcimi i Lekut ka ardhur si pasojë e rritjes së eksporteve dhe turizmit, ndërsa shtoi se një gjë e tillë ka ndikuar pozitivisht në ekonominë vendase.

Sejko përmendi faktin që është ndërhyrë me pak se në vitin 2022 në rritjen e normës së interesit, pasqyron forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale.

“Në vitin 2022, pati 5 rritje të normës së interesit dhe gjatë vitit 2023 pati 2 herë rritje të normës së interesit.

Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursin të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikes fiskale.

Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve te huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve në brendshme inflacioniste.
Në veçanti forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike.

Rëndësia e këtij treguesi për zhvillimet ekonomike në vend kanë sjellë atë në fokus të analizave tona.

Këto analiza kanë synuar të identifikojnë arsye, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Në mënyrë të përmbledhur ata kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve te huaj direkte.

Në këto rrethana forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Kontribuoi në kontrollin e inflacionit duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe mundësoi një normalizim me gradual të qëndrimit politikës sonë monetare gjatë 2023, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve.

Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të lartë të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e Rajonit”, tha mes të tjerash ai.

SHKARKO APP