Sekretet dolën në shesh, Prokuroria ndalon publikimin e dokumenteve në media
Me daljen në shesh të të dhënave të shqiptarëve, ka bërë që Prokuroria e Tiranës tu ndalojë mediave që të publikojnë të dhënat dhe dokumentet që kanë shpërndarë hakerat iranianë mbi sistemin TIMS.
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, thuhet se në rast të shkeljes së këtij vendimi, do të nisë menjëherë hetimi ndaj mediave.
Për monitorimin e këtyre publikimeve, do të ngarkohet Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) si dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Njoftimi:
Në zbatim të vendimit të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 19.09.2022, për sekuestrimin e të dhënave, në kuadër të procedimit penal Nr.5430 të vitit 2022, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve” bëjmë me dije mediat dhe opinionin publik se:
Me vendimin e datës 19.09.2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, vendim ky në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit”.
Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi.
Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave dhe të opinionit publik, pasi publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.